Është zbardhur vrasja e një 65-vjeçari grek e ndodhur disa ditë më parë në Athinë. Policia ka vënë në pranga një 34-vjeçar shqiptar, i cili ka pranuar dhe rrëfyer krimin e bërë.

Ai dëshmoi në polici se viktima 65-vjeçare i kishte borxh 100 euro dhe se ai kishte shkuar në banesën e tij për t’ia kërkuar.

Sipas mediave vendase, pasi kishin debatuar ashpër ata ishin konfliktuar fizikisht, dhunë e cila rezultoi fatale për shtetasin grek.

Familja e viktimës është shprehur se nuk kanë pasur asnjë dijeni për një borxh të mundshëm ndaj shqiptarit, i cili punonte në ndërtim.

34-vjeçari, identiteti i të cilit nuk është bërë publik,  është arrestuar pas një urdhri të lëshuar kundër tij dhe pritet që në ditët në vijim të dalë para drejtësisë. /tvklan.al