“Isha i inatosur se nuk më dëgjonte, por jam penduar”

Erdet Çapoku ka shprehur pendesë para policisë për vrasjen e kunatës. 34-vjeçari ka thënë se ishte shume i inatosur me të, pasi kohët e fundit nuk i dëgjonte më fjalën. Ai ka treguar se pasi e kishte parë kunatën të mbuluar me gjak, ka dalë menjëherë nga banesa e saj dhe ka shkuar në Laprakë, te shtëpia e një kushëriri të tij, që ishte e pabanuar. Pas 12 orësh nga krimi, ai është arrestuar nga policia.

Viktima jetonte sëbashku me nënën dhe vajzën e saj, pasi bashkëshorti është dënuar me 10 vite burg për trafik droge.

Mësohet se kunati, në gjendje të dehur ka shkuar në banesën e 35-vjeçares, ku ka hapur derën me forcë dhe pas debatit verbal e ka qëlluar disa herë me sende të forta. Konflikti mes të dyve kishte nisur kohë më parë, pasi viktima e kishte përzënë nga banesa. Kjo ka qenë edhe nisja e konfliktit teksa autori kërkonte nga 35-vjeçarja t’i kthente disa orendi me pretendimin se ishin të tijat.

Enkeleda Çapoku e kishte denoncuar në komisariat gjashtë muaj më parë për përndjekje dhe dhunë 34-vjeçarin. Pas kësaj, Çapoku ishte shoqëruar në komisariatit, ku kishte treguar se e fotografonte kunatën dhe fotot ia çonte vëllait në burg, por më pas është lënë i lirë.

Fqinjët shprehen të tronditur nga ngjarja e rëndë.

Erdet Çapoku njihej si person problematik në zonë, ndërsa më herët kishte punuar si fatorino.

Tv Klan