37-vjeçari tenton të shfrytëzojë për prostitucion bashkëjetuesen dhe vajzën e saj të mitur


37-vjeçari tenton të shfrytëzojë për prostitucion bashkëjetuesen dhe vajzën e saj të mitur

11:57 20/06/2020

Një 37-vjeçar është vënë në pranga ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, pasi ka tentuar që të shfrytëzojë për prostitucion përmes mashtrimit, dhunës fizike e psikologjike, bashkëjetuesen dhe vajzën e saj të mitur.

Policia e Shkodrës bën me dije se në pranga është vënë 37-vjeçari me inicialet T. P.,  banues në fshatin Bardhaj. Në kërkim është shpallur Z. F., 41 vjeç,  po ashtu banues në Shkodër.

“Shtetasi T. P., në bashkëpunim me shtetasin Z. F., 41 vjeç, nëpërmjet mashtrimit e ka trafikuar bashkëjetuesen, shtetasen L. Gj., në Gjermani dhe ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj, me qëllim që ta shfrytëzonte për prostitucion gjatë kohës që bashkëjetonte me të Gjermani. Gjithashtu, shtetasi T. P. ka tentuar përsëri për ta trafikuar në Gjermani, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion, këtë shtetase, bashkë me vajzën e saj të mitur, të cilave u kishte marrë dhe pasaportat biometrike”, thuhet në njoftimin e policisë..

Në banesën e T. P., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale pasaportat biometrike të shtetases L. Gj. dhe të vajzës së saj të mitur. /tvklan.al




Të ngjashme