Referuar të dhënave zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik në vendin tonë janë rreth 300 mijë persona që kanë probleme me hipertensionin. Sipas specialistit të ISHP, Alban Ylli grupmosha mbi 60-vjeçare zë një peshë të konsiderueshme të këtyre personave.

Alban Ylli, ekspert i ISHP: Nëse do i referoheshim individëve të regjistruar në sistemin e kujdesit në Shqipëri çka do të thotë regjistrat e mjekëve të familjes janë rreth 300 mijë shqiptarë të identifikuar, të diagnostikuar me hipertension.  Mes popullatës adulte, popullatës së rritur në Shqipëri më shumë se 1 në 3 persona i kanë këto parametra mbi normën ose është duke marr mjekim. Te mosha mbi 60 vjeç ose 65 vjeç, kjo përqindje shkon mbi gjysmën ndonjëherë edhe 60-70% e popullatës.

Për shkak të evidentimit në faza të hershme dhe nisjes së mjekimit, ISHP thekson se vdekshmëria nga hipertensioni ka ardhur në rënie.

Alban Ylli, ekspert i ISHP: Prej vitit 2018 ne shohim që prevalencë e tij është duke u rritur. Vdekshmëria drejtpërdrejt nga hipertensioni vitet e fundit ka ardhur në rënie në Shqipëri par është një fraksion i vogël sepse shumica dërrmuese e vdekshmërisë nga hipertensioni shkaktohet përmes sëmundjeve cerebrovaskulare dhe sëmundjeve ishemike të zemrës dhe të dy këto kategori të mëdha të sëmundjeve në Shqipëri nga pikëpamja e vdekshmërisë së parakohshme, nga pikëpamja e vdekshmërisë së standardizuar të moshës janë duke rënë.

Specialistët shprehen se stili i jetesës, kequshqyerja, mbipesha dhe duhani janë disa nga faktorët kryesorë që shkaktojnë hipertension.

Klan News