Lame: Do ngrejmë një strukturë me 230 punonjës

Rreth 50 milionë dokumenta pronësie do të digjitalizohen. Kreu i Kadastrës, Artan Lame në një dalje të posacme bëri të ditur se për këtë qëllim do të ngrihet një strukturë e posacme, e cila do të merret me skanimin dhe digjitalizimin e çdo dokumenti shkresor apo hartash të ndryshme që kanë të bëjnë me regjistrimin e pronave në vendin tonë.

Artan Lame: Kryeministri miratoi strukturën e re të Kadastrës, e cila parashikon edhe ngritjen e qendrës së Kadastrës Digjitale, strukturë që do të jetësojë projektin e Digjitalizimit. Kjo qendër do të punësojë një trupë punonjësish të rinj, prej rreth 230 vetash. Jam këtu para jush për të shpallur thirrjen për aplikime pune në këtë organizëm.

Ai tha se bëhet fjalë kryesisht për dy kategori operatorësh.

Artan Lame: Operatorët e skanimit dhe sistemimit të dokumentacionit, operatorët e digjitalizimit të kartelave. Projekti do të zgjasë dy vjet dhe do të shërbejë dhe si shkollë për këta operatorë që me eksperiencën që do të fitojnë gjatë punës të mund të integrohen më pas në strukturat e Kadastrës.

Lame bëri të ditur gjithashtu se struktura e re e Kadastrës e miratuar nga Kryeministri do t’i hapi rrugë edhe riformatimit të shumë Drejtorive Rajonale që kanë patur probleme kohët e fundit.

Tv Klan