Trofeu i Euro 2024 ka mbërritur në Stadiumin Olimpik të Berlinit këtë të mërkurë si pjesë e turit të trofeut që nisi në Shtutgart një muaj më parë. Teksa mbeten vetëm 51 ditë në nisjen e Europianit, qyteti i Berlinit është duke bërë përgatitjet e fundit.

“Qyteti ka nevojë ende për 51 ditë, vendi ka nevojë për to”, tha ish-sulmuesi i Ganës, Kevin Prince Boateng që është zgjedhur si ambasador i qytetit të Berlinit për turneun. “Por unë mendoj që të gjithë mezi po presin që të nisë kampionati”, tha ai.

Në lidhje me këtë ngjarje foli edhe ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, duke shtuar se vendi fokusohet tek të gjitha rreziqet potenciale duke nisur që nga ato kibernetike e deri tek sulmet terroriste.

“Sigurisht që ka rreziqe e ne duhet t’i pranojmë ato”, tha ministrja.

Trofeu do të qëndrojë dy ditë në Berlin përpara se të vazhdojë udhëtimin në të gjithë Gjermaninë. Turi i trofeut do të përmbyllet në Mynih më 14 Maj, ekzaktësisht një muaj para ndeshjes hapëse të Euro 2024 që Gjermania do ta luajë me Skocinë.

Euro 2024 mendohet të presë 2.7 milionë tifozë në stadiume dhe deri në 12 milionë të tjera në zonat ku do të shikohen ndeshjet. Finalja do të luhet në Berlin më 14 Korrik.

Ky Europian do të jetë i veçantë edhe për shqiptarët pasi kombëtarja kuqezi do të marrë pjesë. Tifozët kuqezi nuk do të presin gjatë pasi me 15 Qershor do të luhet ndeshja e parë përballë Italisë. Dy sfidat e tjera do të luhen më 19 Qershor ndaj Kroacisë e më 24 Korrik ndaj Spanjës.

Ndeshjet e Shqipërisë dhe Europianit do të transmetohen në Tv Klan./tvklan.al