Një çift francez mund të dënohet deri në 6 vite burg, pasi kishin marrë 40 kg rërë të bardhë nga plazhi i Sardenjës në Itali.

Kjo gjë është e ndaluar me ligj, pasi rëra konsiderohet si një e mirë publike, prandaj është rreptësisht e ndaluar nxjerrja e saj jashtë ishullit.

Çifti i cili u shpreh se nuk e dinte këtë fakt dhe se e morën atë thjesht për ta pasur si suvenir në shtëpinë  e tyre. Ata e kishin vendosur rërën në 14 shishe dhe ju gjet nga polica gjatë kontrollit kur kishin qenë duke u nisur me traget për në Tulon të Francës.

Vendimi për të ndaluar marrjen e rërës ka hyrë në fuqi në vitin 2017.  Banorët e zonës ankoheshin se turistët po i vidhnin bukuritë natyrore, prandaj u ndërmor si masë. Këta të fundit përfitonin para nga shitja e saj në ankandet online.

Shpesh banorët e ishullit përplasen me turistët që tentojnë të marrin rërë apo guaska nga ishulli dhe kur nuk e zgjidhin dot konfliktin, atëherë ndërhyn policia. Në vitin 1994, autoritetet kufizuan aksesin në plazhin e famshëm rozë në ishullin Budeli, në verilindje të Sardenjës, pasi rëra e çmuar po pakësohej çdo vit.

Klan Plus