Një vajzë 7-vjeçare nga India ka paditur në polici të atin, pasi ai nuk kishte mbajtur premtimin për t’i ndërtuar asaj një tualet ku të kryente nevojat e saj personale.  Hanifa Zaara i tha në një letër policisë se i ati e kishte “mashtruar” dhe për këtë arsye duhej të arrestohej. Ajo tha se ishte e turpëruar të kryente nevojat e saj jashtë.

Sipas Unicef, shumë indianë nuk kanë tualete dhe rreth 500 milionë persona kryejnë nevojat e tyre në ambiente të hapura. Edhe atje ku janë ndërtuar tualete, shumë nuk i përdorin. Hanifa, e cila jeton me prindërit e saj në Ambur, një qytet në shtetin jugor të Tamil Nadu në Indi, tha se nuk ka pasur kurrë një tualet në shtëpinë e saj.

Por, ajo i tha “BBC”-së se disa fqinj të saj kishin tualete dhe për këtë arsye i kishte kërkuar të atit t’ua ndërtonte një edhe në shtëpinë e tyre. “Ndihesha e turpëruar të kryeja nevojat jashtë dhe ndihesha tepër keq kur më shikonin njerëzit”, tha Hanifa.

Një tjetër motiv për që i shtoi dëshirën për të pasur një tualet në shtëpi ishin edhe mësimet që ajo mori në shkollë në lidhje me problemet e shkaktuara në shëndet nga jashtëqitja në ambient të hapur. Ankesa e vogëlushes bëri që në lidhje me këtë çështje të njoftohen edhe zyrtarët, të cilët thonë se do të ndërtojnë 500 tualete në lagjen e Hanifas. Pas 10 ditësh zemërimi me të atin, Hanifa më në fund u pajtua me të pas ndërmjetësimit të policisë./tvklan.al