Qendra Sizmiologjike Europiane Mesdhetare (EMSC) përllogarit se në 73 orë vendi ynë ka pasur 71 tërmete të ndjerë.

Lajmi i mirë, sipas kësaj qendre është se numri i pasgoditjeve ka ardhur në rënie dhe vijon të mbetet i tillë.

Megjithatë, duke qenë me epiqendër pranë zonave të banuara këto lëkundje, ndonëse me magnitudë të ulët, ndihen gjerësisht.

“Të dhënat e përditësuara të lëkundjeve sizmike pas tërmetit në Shqipëri. Siç pritej, gjatë sekuencës së pasgoditjeve, numri i tërmeteve në ditë është duke u ulur, megjithatë duke qenë pranë zonave të banuara, edhe ato me magnitudë të ulët ndihen gjerësisht”, thuhet në një postim në Twitter të EMSC.

Ndërsa në një postim të mëvonshëm thuhet: “Që prej publikimi të grafikut më poshtë, aktiviteti i pasgoditjeve pas tërmetit në Shqipëri, mbetet e limituar. Shpresojmë se ulja e përqindjes së pasgoditjeve do të vazhdojë të ulet dhe që miqtë tanë dhe njerëzit në Shqipëri të mund të gjejnë pak qetësi”.

Një ditë pas tërmetit tragjik që i mori jetën dhjetëra personave në Thumanë e Durrës, ndërsa të plagosur mbetën me qindra të tjerë, në një postim po në Twitter, Qendra Sizmiologjike Europiane Mesdhetare shkruante se që prej kohës kur kishin prezantuar aplikacionin e tyre mbi tërmetet nuk kishin parë kurrë më parë një numër kaq të lartë tërmetesh të ndjerë në të njëjtin rajon./tvklan.al