Ligji për amnistinë penale ka hyrë në fuqi sot dhe pritet që gjatë ditës të lënë ambientet e burgut 780 të dënuar në të gjithë vendin. Vetë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka ndjekur këtë proces në burgun e Rrogozhinës.

Në një prononcim për gazetarët, ministri Manja ka dhënë një mesazh për të gjithë ata që përfitojnë nga kjo amnisti që të mos e kthejnë kokën mbrapa dhe të punojnë me ndershmëri.

Gjatë fjalës së tij, ministri Manja ka bërë bilancin e kostos për ditë të një të burgosuri teka ka shtuar se i kushton buxhetit të shtetit 36.5 Euro në ditë.

Ulsi Manja: Në shkallë vendi, sot ka nisur në të njëjtën orë zbatimi i ligjit për amnistinë. Do të lënë vendin e vuajtjes së dënimit rreth 780 të dënuar. Kjo shifër pritet të përditësohet për shkak se orët e fundit ka një numër të dënuarish përfitues nga amnistia që gjenden në Komisariatet e Policisë në vend. Për këto 780, ka mbaruar e gjithë procedura dhe sot do të lënë ambientet e vuajtjes së dënimit. 800 të tjerë janë përfitues me ulje dënimi që në total, sot shkon tek 1 mijë e 600 të dënuar. 800 lirohen me amnisti të plotë, pjesa tjetër janë me ulje dënimi. 15 gra lirohen menjëherë, 9 të tjera përfitojnë ulje dënimi nga 38 gra që kemi në Ali Demin në Tiranë. 2662 persona në shërbim prove përfitues nga kjo amnisti. Urimi im për këta që janë përfitues shkon për familjet e tyre dhe për këta që t’i kthehen punës së ndershme dhe të mos e kthejnë kokën mbrapa. Mos e ktheni më kokën mbrapa, mbi çdo gjë është familja dhe shoqëria jonë.

Asnjë zyrtar i lartë që aktualisht gjendet duke vuajtur dënimin që është dënuar nga GJKKO apo se është në proces hetimi, nuk përfiton nga amnistia. Me ulje dënimi janë sa gishtat e dorës që përfitojnë nga amnistia. Kategoria përfituese nga amnistia, zyrtarë të lartë nuk ka. Falenderim për ju, keni qenë promotori deri ditën kur e kanë votuar, promotori pozitiv për të bindur deputetë të jepnin votën. Mos harroni, kostoja e një të dënuari që kemi në ditë për 1 të dënuari që e mbajmë këtu është 36.5 Euro në ditë. Nga kjo amnisti, nëse do e kostojmë me koston ditore, buxhetit të shtetit i kursen rreth 30 milionë Euro. Sigurisht, kur kryen një vepër penale, do të vijë të vuajë dënimin këtu, por kur dënimi e ka arritur qëllimin, është krejt normale që t’i kthehen familjes së tyre. Në fund të fundit, janë pjesë e jona./tvklan.al