Riaktivizohet vatra e virusit edhe në Kinë

Numri i të prekurve nga Covid-19 në gjithë globin preku një tjetër nivel rekord prej 8 milionë. Shifra e tyre u shtua me 1 milionë brenda 8 ditëve. Mes të prekurve, që prej nisjes së pandemisë, mbi 436 mijë persona kanë humbur jetën, ndërsa 51% e tyre janë shëruar.

Në Kinë, vatrën e parë të koronavirusit në gjithë globin, vijojnë të shtohen të infektuarit pas rasteve të identifikuara në një treg shumice në Pekin. Këtë të hënë, autoritetet njoftuan 36 raste të reja veç 45 të infektuarve të tjerë që u zbuluan gjatë fundjavës. Raste të reja infektimesh të lidhura me Pekinin janë regjistruar edhe në qytete të tjera, si Siçuan, Liaoning dhe Hebei.

Brazili është vatra më e nxehtë e momentit për përhapjen e Covid-19. Numri i viktimave kapërceu atë të Britanisë së Madhe dhe tashmë ky vend renditet i dyti në botë edhe për nga numri i viktimave, krahas atij të të prekurve.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara që renditen të parat në botë për nga shifrat e koronavirusit shënuan këtë të hënë 382 vdekje përgjatë 24 orëve të fundit, numri më i ulët prej kulmit të arritur në mesin e muajit Prill.

Tv Klan