Kreu i OBSH-së: Ndoshta nuk do ketë kurrë një vaksinë për Covid

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin se Covid-19 mund të jetë prezent për një kohë shumë të gjatë në të gjithë globin. Teksa një pjesë e madhe e vendeve janë në pritje të një vaksine apo medikamenti që të luftojë Covid-19, një lajm jo shumë premtues ka ardhur nga kreu i OBSH.

Tedros Adhanom ka deklaruar se ekziston rreziku që shkencëtarët, ekspertët si dhe kompanitë farmaceutike, që po merren me vaksinën antikoronavirus, mund të dështojnë.

Përpara Komitetit të Shëndetësisë në Parlamentin Europian, Tedros u shpreh se ndoshta mund të mos ketë kurrë një vaksinë, ashtu siç nuk kishte edhe për SARS dhe MERS.

Një ditë më parë Kolegji Mbretëror në Angli njoftoi se ka krijuar një vaksinë e cila ka rezultuar pozitive në provat e para dhe tanimë ka filluar të testohet tek njerëzit.

300 njerëz do t’i nënshtrohen kësaj vaksine gjatë javëve të ardhshme. Më pas testimi do të shtrihet edhe më shumë ku me fillimin e vjeshtës sipas ekspertëve të këtij kolegji rreth 6000 persona do të bëjnë këtë vaksinë.

Jo vetëm kaq, por edhe dhjetëra kompani farmaceutike janë duke testuar 100 vaksina të mundshme në të gjithë botën.

Ndërkaq edhe Drejtori për Evropën i OBSH Hans Kluge është shprehur se koronavirusi do të pushtojë të gjithë vendet evropiane dhe i ka bërë thirrje qeverive të tregohen shumë të kujdesshëm me lehtësimin e masave. Sipas Kluge në disa vende si Gjermani, Francë, Britani etj numri i infektimeve po rritet me ritme të shpejta dhe ka paralajmëruar se spitalet mund të përjetojnë sërish kolaps.

Covid-19 ka prekur mbi 9.7 milionë njerëz në botë, nga ku 492 mijë kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë.

Klan Plus