Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se e ka propozuar 26 Janarin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, në takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani me liderët e partive politike të vendit.

Në një postim në Facebook, ai ka theksuar se vendi ka nevojë sa më parë të shkojë në zgjedhje, sipas tij, pasi duhet një qeveri me qasje pro-perëndimore.

“Meqë, sipas përcaktimeve të afateve kushtetuese, në dispozicion na u ofruan katër data, ato të 26 janarit, 2 shkurtit, 9 shkurtit e 16 shkurtit; dhe në vijë me bindjet politike të Lidhjes Demokratike – se vendit i duhet sa më parë një Qeveri e re, që parandalon zhbërjen e shtetit, shëron polarizimin shoqëror, rikthen orientimin pro-perëndimor e fokusohet në zhvillim e mirëqenie qytetare, propozova datën 26 janar 2025 si datë të zgjedhjeve të ardhshme”.

“Zgjedhjet për LDK-në janë gjithmonë festë! Si manifestim i demokracisë, si rikthim tek qytetari, si vlerë e shtetit tonë të ri, ato na vijnë në një moment kritik të vendit, të gjeneratave të tashme dhe atyre që vijnë. Prandaj dhe përbashkimi i së djathtës sot është thirrje për shpëtim!”, ka thënë Abdixhiku. /Klan Kosova