Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se këtë të mërkurë nuk u caktua një datë për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme kombëtare në Kosovë.

Në një konferencë për media pas përfundimit të takimit me liderët e partive politike, ajo ka thënë se ka mbetur të bëhet edhe një analizë e datave që janë folur në këtë takim dhe se do të dalë me një datë që do ta bëjë publike në vijim.

“Janë katër data për zgjedhje që janë propozuar. E para është 26 Janari, e dyta është 2 Shkurti, 9 Shkurti dhe 16 Shkurti meqenëse ligji ynë parasheh që vetëm të dielave mund të organizohen zgjedhjet.  Prandaj, diskutimi ynë ishte vetëm në kontekst të këtyre katër datave. Nuk kishte ndonjë insistim të tepërt, kishte preferenca.

Jemi ende brenda afatit të konsultimeve, kështu që afatet vetëm se ekzistojnë për shpalljen e datës së zgjedhjeve. U pajtuam që si presidencë të bëjmë analizën e të gjitha datave, që të bëjmë më pas publike datën e zgjedhjeve, ky vendim ende nuk është marrë, do të merret pas analizave të të gjitha datave”, ka thënë Osmani./Klan Kosova