Një ditë pas kërkesës së kryebashkiakes Voltana Ademi për t’ia lënë Shkodrën një Komisioni Administrativ Europian deri në organizimin e zgjedhjeve të reja vendore, ka reaguar ambasadori i Austrisë në vendin tonë, Johann Sattler.

Në një postim në rrjetet sociale, ambasadori Sattler shprehet i hapur për të biseduar, por thotë se nuk është viti 1913 kur Shkodra qeverisej nga Fuqitë e Mëdha.

“I hapur për të diskutuar. Por viti 2019 nuk është 1913. Shqipëria aspiron për të çelur negociatat e anëtarësimit me BE. Kjo kërkon aftësinë për të zgjidhur problemet politike. Dhe për këtë nevojitet që sezoni i konfliktit të pasohet nga sezoni i zgjidhjes së konflikteve. Shqiptarët duhet të shkojnë në pushime të qetë”, shkruan në Twitter ambasadori Sattler.

Një ditë më parë, në një letër të gjatë publike drejtuar ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian, OSBE-së dhe Gjermanisë, Italisë, Britanisë, Austrisë dhe Zvicrës, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi thotë se ajo që ndodhi më 30 Qershor ishte e paligjshme ndaj kërkon që qyteti i saj të merret nën administrim nga fuqitë e huaja. Ademi e bën këtë propozim duke sjellë në vëmendje edhe raste të së kaluarës. /tvklan.al