Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, është pyetur nga gazetarët këtë të mërkurë në lidhje me projektin e aeroportit të Vlorës dhe a do rishikojë qeveria pasi po ndërtohet në një zonë të mbrojtur mjedisore.

Ministrja u shpreh se për projektin është respektuar çdo afat dhe procedurë e ligjeve shqiptare.

Pyetje: Ndërkohë qeveria ka një projekt për të ndërtuar një aeroport në një zonë të mbrojtur mjedisore, projekt që ka ngritur shqetësimin e KE. Në progres-raportin e fundit thuhet shprehimisht që aeroporti që do të ndërtohet në zonën Vjosë-Nartë rrezikon faunën, mjedisin në atë zonë dhe bie në kundërshtim me ligjet kombëtare dhe  me konventat ndërkombëtare që ne i kemi ratifikuar. Edhe organizatat mjedisore janë kundër këtij projekti. A do ta rishikoni?

Mirela Kumbaro: Për projektin në fjalë në gjithë muajt e fundit të vitit 2021 kemi pasur një proces të gjatë që në fakt është vazhdimi i një procesi të nisur që në 2020, një proces të gjatë që është zhvilluar edhe me dëgjesat publike, edhe me ekspertizat e grupeve të ndryshme të ekspertëve, qoftë atyre mjedisore, ekonomikë, turizmit apo infrastrukturës, të cilët kanë prodhuar raportet që kanë qenë pjesë e dëgjesave publike, kanë qenë pjesë e vlerësimit duke respektuar të gjitha etapat dhe të gjitha afatet të parashikuara nga ligji për të prodhuar deklaratën mjedisore. Kjo është faza në të cilën ndodhemi. Vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit ka prodhuar edhe lejen zhvillimore. Është proces në vazhdim, këtu do jemi. Në çdo hap kemi respektuar çdo afat dhe çdo procedurë të ligjeve shqiptare qoftë për konsultimet publike, qoftë për vlerësimet e ndikimit në mjedis. Është proces që do të vazhdojë në etapat e mëtejshme./tvklan.al