Plagoset 18-vjeçari. Dy të rinjtë udhëtonin me motor

Një djalë vetëm 16 vjeç humbi tragjikisht jetën mbrëmjen e kësaj të hëne në Ballsh. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:05, në vendin e quajtur “Ura e lumit”.

Adoleshenti udhëtonte me motor, së bashku me një 18-vjeçar, kur në rrethana ende të paqarta, u përplasën me një makinë. 16-vjeçari, të cilin policia e identifikoi me inicialet A. H., gjeti vdekjen në vendin e ngjarjes.

Ndërsa i riu tjetër që ndodhej me të, 18-vjeçari me iniciale L. A., mbeti i plagosur rëndë. Ai u dërgua në spitalin e Fierit dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Dy djemtë ishin banues në Belishovë.

Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, autoritetet policore shoqëruan shoferin e makinës që u përfshi në këtë aksident të rëndë, një 34-vjeçar me iniciale E. S., nga Ballshi. Ndërkohë në vendngjarje vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti./tvklan.al