Duke qenë se në muajin Dhjetor ka një shtim të numrit të automjeteve me targa të huaja, drejtuesit e të cilave nuk po respektojnë sinjalistikën rrugore dhe bëhen pengesë për lëvizjen e lirë të mjeteve dhe këmbësorëve, ka nisur puna për bllokimin e tyre.

Puna e policisë është përqendruar për largimin e mjeteve me targa të huaja që parkohen në mënyrë të parregullt, në vendet e taksive, në stacionet e autobusëve apo parkingjet publike me pagesë.

Sipas planit të masave, janë duke u aplikuar dy mënyra, duke iu vendosur mjeteve bllokues gome, apo dhe duke i tërhequr me karrotrec, për në pikat e bllokimit të automjeteve.

Në rastin kur ka vetëm bllokues gome, masa administrative është 1-3 mijë lekë. Ndërsa në rastin kur mjetet parkohen kundër sinjalistikës dhe tërhiqen me karrotrec, atëherë aplikohet dhe gjoba shtesë prej 4 mijë lekësh. Vetëm në disa orë aksion të policisë bashkiake janë bllokuar 35 mjete. Rastet e evidentuara kanë qenë drejtues mjetesh që jetojnë në tiranë, të ardhur nga rrethet e tjera, por dhe të ardhur nga jashtë Shqipërisë për të festuar festat e fundvitit.

Në planin e masave janë dhe automjetet me targa prove, por dhe me targa shqiptare, kur parkohen në mënyrë të parregullt.

Klan News