Bandersnatch është një nga episodet më të përfolura të Netflix dhe ky mund të jetë fillimi i një komploti të keq për të mbledhur mendimet tuaja. Episodi i ri i Black Mirror lejon shikuesit të zgjedhin rrugën e tyre për rrjedhën e ngjarjeve, duke i ofruar opsione në ekran. Por ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të shënojë një të ardhme të rrezikshme të mbikqyrjes.

Historia e “Zgjidh aventurën tënde” luhet nëpërmjet një telekomande. Por ekspertët thonë se kjo i jep Netflix një pasuri të dhënash mbi zgjedhjet personale që bëni. Netflix nuk ka zbuluar ende saktësisht se çfarë do të bëjë me këto të dhëna, por mund t’i ofrojë për reklamuesit dhe organizatat qeveritare nëse i kërkohet.

Eksperti Adam Brown tha për The Sun:

“Netflix është i lidhur me ligjet e privatësisë, veçanërisht kur merret me subjektet europianë. Agjencitë e zbatimit të ligjit mund të kenë akses ligjor në këto të dhëna”.

Për shembull, imagjinoni nëse jeni akuzuar për kryerjen e një krimi të dhunshëm. Policia mund t’i kërkojë të dhënat Netflix për të parë se çfarë vendimesh  ndërmerrni kur shihni shfaqje televizive. Bandersnatch ju jep mundësinë për të vrarë disa personazhe në mënyra shumë brutale dhe të ndyra. Nëse ju keni zgjedhur këta mundësi, atëherë ato mund të llogariten kundër jush.

“Zgjedhjet mund të zbulojnë aspekte psikike të një shikuesi në agjencitë e zbatimit të ligjit”

, shpjegoi Brown, duke shtuar se personaliteti juaj mund të zbulohet edhe nga zgjedhjet e rregullta televizive. Duke u kombinuar me të dhëna të tjera, kjo mund të tregojë gjëra të këqija për ju.

“Pajisjet tuaja teknologjike mund të dinë se çfarë po shihni, mund të dëgjojnë komentet tuaja, si dhe mund të dinë se cilën pjesë të ekranit po shihni kur bëni një shprehi. Në këtë mënyrë të dhënat tuaja shkojnë më thellë dhe bëhen më personale sesa thjesht zgjedhja e një rruge”

, tha dr. Ian Pearson për The Sun.

Ndërsa eksperti i medias, Michael Pachter nuk mendon kështu. Sipas tij, ky episod është një dështim i Netflix, i cili nuk është ende gati për të bërë një eksperiencë bindëse interaktive. Pachter mendon se Netflix do të vijojë të krijojë shfaqje të tilla, por nuk do të jenë efektive.

“Ata nuk dinë moshën, gjininë, zakonet e blerjes, të ardhurat familjare, si dhe shumë gjëra të tjera për klientët e tyre”

, u shpreh ai.

Nga ana tjetër zëdhënësi i Netflix shpjegoi: “

Privatësia e anëtarëve të Netflix është një prioritet për ne. Dokumentimi i zgjedhjeve përmirëson përvojën dhe funksionalitetin interaktiv të Bandersnatch”

. Sipas tij, të gjitha ndërveprimet në film dhe përdorimi i atij informacioni është në përputhje me deklaratën e tyre të privatësisë.

Zëdhënësi e përmbylli duke thënë se Netflix nuk shet ose merr me qira informacionet personale të palëve të treta për qëllime marketingu apo për ndonjë përdorim tjetër./

tvklan.al