#AldoMorningShow Emision mëngjesi nga #AldonLipe në #TvKlan.

U divorcua prej tradhtisë, Shqipja kërkon një shok: T’i ketë flokët e gjata, pa mustaqe e mjekër…

Programi “Aldo Morning Show” në Tv Klan ka vijuar me rubrikën e personave të moshuar që kërkojnë dikë me të cilin të ndajnë vitet e mbetura të jetës. Këtë herë është Shqipja ajo që sjell historinë e saj, një 64-vjeçare energjike që ka shumë pasione dhe dashuri për jetën.

Ajo e nis rrëfimin me kujtimet nga fëmijëria, shkollimin dhe profesionin. Më pas vijon me aktivitetet që i pëlqen të bëjë dhe vihet re se është një person shumë aktiv.

“Quhem Shqipe Rexha. Unë jam banore që në lindje e gje më sot në Tiranë. Fëmijëria ime ka qenë shumë e bukur. Kemi jetuar me prindër dhe familje të mrekullueshme. Unë vetë shquhem për drejtësinë që kam në shpirt, atë çfarë kam në shpirt unë e shpreh dhe në këtë stil të jetës jetoj, siç më shikoni. Përveç 8-vjeçares unë kam bërë edhe dy shkolla të mesme krahas punës. Kam punuar në artistiken “Migjeni” dhe në artin e sixhades, thjesht punëtore.

Më pas kam punuar në kateringun e Albanianit dhe e kam shumë për krenari që unë jam punëtore, ndonëse shpeshherë më thonë që “ti je shefe, shefe, shefe”. Nuk e di, ndoshta edhe vetë paraqitja ime, nuk e di si ma kanë vënë këtë. Hobi im është muzika, piktura, udhëtimet, të këndoj, të kërcej dhe njëkohësisht të punoj punëdore si qëndisje, grep, shtizë dhe nëse del nga duart e mia është data fikse që mendohet që mbarohet kjo punë dhe s’ka njeri për korrigjim. Më pëlqen shumë ecja me biçikletë sidomos jam shumë sportive, dhe noti, ushtrimi në det më pëlqen, pse jo. Jo se jam ndonjë notare kushedi se çfarë, por më pëlqen shumë, detin e dua”.

Shqipja vijon me historitë e saj personale. Ajo rrëfen martesën e parë prej të cilës ka 3 fëmijë dhe një vajzë që ka ardhur nga bashkëjetesa. Sot Shqipja është gjyshja e tre vogëlushëve.

“Kur isha e re shumë, 16 vjeçe jam njohur me një shok të lagjes, aty komshi. U njohëm, u deshëm shumë. Unë 16, personi 18 dhe më pas, pasi erdhi nga ushtria, ne bëmë fejesë, pas dy vjetësh bëmë martesën. Unë jam martuar në ’80 dhe kam 3 fëmijë me bashkëshortin tim. U ndava për arsye tradhtie dhe nuk e dija, më vonë pas ndarjes e kam marrë vesh ekzakt si qëndronte puna. Unë nuk jam e rënë nga qielli dhe nuk e pranoj asnjëherë në botë, kam edhe unë gabimet e mia, por nuk njoh të kem një gabim që duhet të ndahesha.

Më pas njoha një person tjetër që kam bërë bashkëjetesë me të dhe rashë nga shiu në breshër si mund ta them, por kam një vajzë me të. 11-muajshe vajza, divorcohem. Bëj edhe një lidhje pas 4 vjet e gjysmë, nuk funksionoi asnjë vit dhe unë bëra ndarjen përfundimisht. Jam sot vetëm se edhe fëmijët… janë martuar vajzat, jam bërë 3 herë gjyshe me një mbesë dhe dy nipa”.

Vetmia është arsyeja pse Shqipja kërkon një shok, por ajo ka disa kritere shumë specifike.

“Njeriu shpesh ndjehet vetëm dhe i pëlqen të jetë vetëm se e kontrollon, aty reflekton me veten e tij, ndreq gabimet që ka bërë jetë e mot e të gjitha, ndërsa është një shprehje shumë e vjetër dhe shumë domethënëse e popullit tonë. “Mos të lëntë Zoti vetëm”, por vjen momenti që njeriu do një shok por do doja një zotëri që të më respektojë, të jetë korrekt si për vete dhe për mua sepse dhe unë i kam ato.

Në aparencë unë e vlerësoj shumë tjetrin. Të jetë një njeri i rregullt, flas që nga pastërtia, por pastërtia i them dhe asaj. Mundësisht t’i ketë edhe flokët e gjata sa të miat, nuk e di, te floku do e doja, por jo me mjekër, jo me mustaqe dhe specifikja për mua, të mos pijë cigare, të mos pijë alkool, te alkooli fare, fare por as te cigarja. Nuk më afrohet”, përfundon ajo./tvklan.al