Udhëheqësi i burgosur i opozitës ruse Aleksei Navalni njoftoi se do t’i japë fund grevës së urisë pas marrjes së ndihmës mjekësore dhe pas paralajmërimit nga mjekët e tij, se vazhdimi i saj do të ishte kërcënuese për jetën e tij.

Në një postim në Instagram të premten pasdite, në ditën e 24 të grevës së urisë, Navalni shkruante se ai do të vazhdojë të kërkojë të vizitohet nga mjeku i tij, për trajtimin e një humbjeje të ndjeshmërisë tek këmbët dhe krahët, kërkesa kryesore e politikanit kur njoftoi nisjen e grevës së urisë. Por ai tha se nuk do ta refuzonte më ushqimin pasi të vizitohej nga mjekë jo të burgut.

Falë mbështetjes së madhe të njerëzve të mirë në të gjithë vendin dhe në të gjithë botën, ne kemi bërë përparim të madh”, shprehej Navalni në mesazhin e tij.

Politikani 44-vjeçar, i cili u arrestua në fillim të këtij viti dhe po vuan një dënim prej 2 vitesh e gjysmë, e filloi grevën e urisë më 31 mars si protestë ndaj refuzimit të autoriteteve të burgut që ai të vizitohej nga mjekët e tij, pasi ndjente dhimbje të forta në shpinë e mpirje të këmbëve.

Zyrtarët rusë kanë këmbëngulur që Navalni ka marrë gjithë ndihmën e duhur mjekësore, por udhëheqësi i opozitës ka thënë se efektivisht, ai nuk kishte marrë asnjë trajtim.

Të mërkurën në mbrëmje në të gjithë Rusinë u zhvilluan protesta të reja masive ku kërkohej lirimi i zotit Navalni. Një ndihmës kryesor i tij, tha se protestat e së mërkurës në mbrëmje duket se kishin nxitur autoritetet ruse që t’i siguronin zotit Navalni ndihmën mjekësore që ai kishte kërkuar që në fillim të grevës së urisë.

Shtetet e Bashkuara e kishin paralajmëruar Moskën për pasoja në se zoti Navalny vdiste.

Udhëheqësi i opozitës, kritiku kryesor i Presidentit Vladimir Putin, u arrestua në janar pas kthimit të tij nga Gjermania, ku ai qëndroi për pesë muaj për t’u trajtuar nga një helmim me agjent nervor. Zoti Navalni ka fajësuar për sulmin Kremlinin, akuza që zyrtarët rusë i kanë hedhur poshtë. /VOA