Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Asistencë për shoqatat tregtare të agrobiznesit. Do të jetë ky projekti i ri amerikan në fushën e bujqësisë pas përfundimit të programit të administruar nga IFDC. Kjo është konfirmuar sot nga autoritetet më të larta amerikane në Shqipëri të cilët kanë vizituar projektet bujqësore më të suksesshëm të mbështetura nga Qeveria Amerikane.

Ambasadori Limpreht dhe Drejtori i USAID-it të shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë Lefter Xhuveli kanë shkuar në entin shtetëror të farave ku kanë parë nga afër procesin e punës dhe teknologjinë e re, që është vënë në dispozicion të specialistëve shqiptarë. Më pas ata kanë vizituar Institutin e Kërkimit të Tokave.

Drejtuesit e këtij instituti kanë falenderuar për projektin e IFDC në mbështetje të sektorit të plehrave në Shqipëri, për rolin e rëndësishëm dhe ofrimin e shërbimeve për agrobiznesin shqiptar. Ambasadori Amerikan Limpreht ka falenderuar dhe punonjësit e specialistët shqiptarë të IFDC, për realizimin e suksesshëm të programit që sapo ka përfunduar.

Klod Frimen, Drejtori i IFDC sqaron prioritetet e projektit të ri.

Klod Frimen, Drejtori i IFDC:- “Projekti do të zgjasë rreth 3 vjet. Buxheti i projektit te ri do te jete 6 milion, ku 3 milion do jene kontribute te ofruara nga shqiptaret, nga investimet në bankë etj. Ky projekt do te fokusohet tek agrobiznesi dhe shoqatat tregtare te tij”.

Por për të realizuar sa më me efektivitet aktivitetet e nisura sipas ambasadorit Limpreht qeveria shqiptare duhet të rrisë përpjekjet për të luftuar tregtinë ilegale dhe të mbështesë sektorin privat./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego