Ka marrë përmasat e një skandali të padëgjuar më parë deformimi i fjalimit të ambasadores Yuri Kim në prezantimin e rezultateve të raportit të Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit (GRECO) për Shqipërinë më datë 13 Tetor.

Megjithëse aktiviteti u transmetua me regji qëndrore nga ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, pa prezencën e gazetarëve në sallë, ambasadorja ishte kujdesur që fjala e saj të përkthehej nga përkthyesja zyrtare e ambasadës.

E megjithë këtë, kjo nuk i ka penguar disa media, mes të cilave Agjencinë Telegrafike Shqiptare, televizione e portale të njohura, ta deformojnë plotësisht fjalën e shefes së diplomacisë amerikane me seli në “rrugën e Elbasanit”.

Vetë ambasadorja amerikane, kur kishin kaluar 24 orë nga publikimi i deformuar i fjalimit të saj, postoi në Twitter shkrimin e ATSH-së, me titull: ‘Ambasadorja Kim: Qeveria po punon në emër të qytetarëve e jo interesave të ngushta, dua duartrokitje për ministren Gjonaj’.

Por vetë ambasadorja Kim shkruan se kjo nuk është e vërtetë, pasi ajo nuk ka thënë kështu. E befasuar, diplomatja reagon pa asnjë lloj diplomacie.

“Ky titull është mashtrues dhe duhet të korrigjohet. Kjo nuk është ajo që thashë”.

Në fakt, ambasadorja deklaroi se qeveria duhet të demonstrojë, se ajo po punon në emër të qytetarëve dhe jo në emër të interesave të ngushta, që të rrënjosë optimizëm tek qytetarët e saj. Po ashtu, Kim tha se qytetarët e Shqipërisë ashtu si ata në mbarë botën, meritojnë qeverisje të mirë.

Ambasadorja vijoi me fjalët se qytetarët shqiptarë meritojnë të kenë besim se fondet publike, paratë që vijnë nga djersa e punës së tyre, po përdoren për të përmirësuar jetën e tyre të përditshme.

Si pengesa serioze për të arritur në qeverisjen e mirë që populli shqiptar meriton, kryediplomatja amerikane në Tiranë përmendi zyrtarë të korruptuar, një sektor drejtësie të kapur nga interesat politike, gazetarë që ose janë bërë palë ose janë kërcënuar për raportimet që bëjnë, zyrtarë publike që përdorin postin për të promovuar ose për të mbrojtur interesa vetjake ose partiake, që i japin përparësi klientelizmit në vend që të mund të bëjnë diçka më të mirë për vendin. 

Klan Plus