Rama: E pakuptimtë vonesa e negociatave me BE



Rama: E pakuptimtë vonesa e negociatave me BE

11:08 18/10/2020

“Vendet anëtare shohim problemet e tyre të brendshme”

Kryeministri Edi Rama ishte i drejtpërdrejtë në kritikat e tij për Bashkimin Europain për mënyrën si po e trajton procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në një fjalë të mbajtur në forumin “Europa Park” në Mynih, kreu i qeverisë shqiptare tha se vonesa e negociatave është e pakuptimtë.

“Tashmë është marrë vendimi për negociatat dhe duhet vendimi për të çelur konferencën e parë ndërqeveritare. Pozicioni ynë është shumë i çuditshëm. Ne jemi të dashuruar me një dashuri të verbër për Europën që nuk e vëmë në pikëpyetje. Na thuhet që Europa do të martohet me ne, por si mund të martohesh kur nuk flet? Anëtarësimi është një tjetër histori, por mendoj që negociatat janë gjëja më e rëndësishme për vendet tona sepse negociatat përbëjnë udhërrëfyesin dhe mjetet për të bërë shtetet tona të besueshme dhe demokratike. Anëtarësimi do të vijë për pasojë të kësaj, por të privosh vendet nga negociatat është e pakuptimtë. T’u japësh vendeve këtë instrument është t’i ndihmosh ata”.

Rama thotë se vendet anëtare për të shmangur debatet e brendshme ia faturojnë problemet Shqipërisë.          

“Emmanuel Macron më ka përsëritur shpesh që në qoftë se biem dakord për çeljen e negociatave me Shqipërinë kjo nuk do të jetë e lehtë për shkak të Marinne Le Pen, të së djathtës, për shkak të zgjedhjeve, e të tjera e të tjera. Si mund të kesh fuqi kur vendimet në Bashkimin Europian varen nga zgjedhjet e 27 vendeve dhe ka shumë zgjedhje, politike, administrative, lokale, evropiane. Pra, na duhej të prisnim zgjedhjet. Problemi është që ata nuk e thonë këtë”.

Rama hodhi poshtë edhe termin “krim shqiptar” në Europë.

“Krimi shqiptar? Nuk ka një krim të tillë për arsyen e thjeshtë se krimi i organizuar është ndërkombëtar. Nuk kemi parë ndonjë kriminel të arrestuar në shqipëri të lidhur me botën e jashtme që nuk kishte të paktën 4 kode numrash në telefon në Gjermani, Holandë, Britani… Ata janë të lidhur dhe kanë krijuar Bashkimin e tyre Europian. Krimi shqiptar? Në Holandë ata janë bërë tashmë gjëja më e keqe në vend. Kjo është e mirë për politikën, por nuk është e vërtetë. T’i veshësh krimit etni është pjesë e lojës”.

Kreu i qeverisë shqiptare ftoi gjermanët të vizitojnë dhe të investojnë në Shqipëri, pasi siç tha ai, vendi ofron shumë lehtësi dhe mundësi për të gjithë.

Tv Klan





Të ngjashme