Pasi iu përmend emri nga ambasadori amerikan Donald Lu, ish-deputeti i Partisë Socialiste ka reaguar duke hedhur poshtë pretendimet e diplomatit.

Në një status në Facebook, Ndoka thotë se nuk ka bërë asnjë krim politik kur ka shërbyer si deputet i PS-së dhe ka dhënë dorëheqjen kur ka patur akuza ndaj tij para se të miratohej ligji i vetingut.

I nderuar Z. Ambasador i SHBA-ve

Donald Lu,

Sot më tërhoqi vëmendjen deklarata juaj në media. Iu mbështes plotësisht në nismën tuaj për të ndihmuar në ndërtimin e një shteti të fortë ligjor shqiptar dhe iu përgëzoj për këtë. 

Për fat të keq nuk mund të jem aq mbështetës kur ju radhitët emrin tim sikur të kem bërë krime politike apo të jem une shkaktari i ndonjë fatkeqësie që ka rënë shqiptarëve në kokë.

Lidhja ime me politiken ka të bëjë me aspiratën për karrierë dhe dëshirën time për angazhim konkret në përmirësimin e kushteve jetësore dhe zgjidhjes së problemeve që kanë çdo ditë qytetarët.

U zgjodha deputet për vlerat e mia njerëzore që nuk ia kam kursyer askujt qëkur isha i aftë të kujdesesha për veten. Kam ditur të mbaj përgjegjësi dhe atëherë kur ngjarjet kanë qenë rrjedhë e fatit dhe jo e veprimeve të mia. Për këtë kam dhënë prova, duke dhënë dorëheqjen e mandatit të deputetit që para se të miratohej ligji më i ashpër në Europë, por ndërkohë duke kërkuar rihapjen e procesit për të cilin jam dënuar në mungesë, siç dhe kam deklaruar publikisht.

Unë vazhdoj të jem i lidhur me elektoratin, sepse me ta kam marrëdhënie njerëzore që nuk i thyen heqja dorë nga një mandat.

Unë nuk di të jem akuzuar për krime politike apo vepra të tjera penale që kanë qenë në dëm të Parlamentit ku isha pjesë, as në dëm të politikës, as të Shqipërisë, as të askujt.

Doja të vazhdoja jetën time, por mesa duket po më vënë kusure që nuk më përkasin.

Uroj vërtetë të bëhet drejtësi por me kriminelët e vërtetë ama, një serë të cilës unë nuk i përkas!

Arben Ndoka

Në një aktivitet sot për Task-Forcën speciale kundër krimit të organizuar, ambasadori Lu përmendi mes të tjerë edhe atë të Arben Ndokës për të ilustruar lidhjen e krimit me politikën.

“Nëse e mohoni këtë, ju lutem, të shqyrtoni rastet e Arben Ndokës, Mark Frrokut, Gentian Muhametit dhe Elvis Roshit

”, tha ambasadori amerikan. /tvklan.al