Të paktën një person ka vdekur dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur pasi një seri shpërthimesh gazi që ndodhën në qytetin e Massachusetts në veri të Bostonit mbrëmjen e së enjtes.

Policia lokale raportoi “zjarre dhe shpërthime” në dhjetëra prona, shkruan BBC.

Qindra njerëz janë evakuuar ndërsa shërbimet e gazit dhe të energjisë elektrike janë ndërprerë për të parandaluar incidentet e mëtejshme. Një nga shefat e shërbimit të zjarrëfikëses e përshkroi ngjarjen si shumë “të rëndë”.

“Unë kam punuar në shërbimin e zjarrëfikëses për pothuajse 39 vjet dhe kurrë nuk kam parë një ngjarje të tillë gjatë karrierës sime”,

tha ai.

Zyrtarët thanë se rreth 60 ose 80 zjarre si edhe disa shpërthime ndodhën në shtëpi dhe bizneset në qytetet Lawrence, Andover dhe North Andover që ndodhen afërsisht 30 milje (45 km) në veri të Bostonit.

Sipas dëshmitarëve incidentet filluan rreth orës 16:30 sipas orës lokale.

Guvernatori i Massachusetts, Charlie Baker, e përshkroi atë si një “ngjarje të sigurisë publike” në orët e para të së premtes, por tha se zyrtarët tani ishin “të sigurt” se nuk do të kishte zjarr tjetër.

Kompania mëmë e gazit NiSource me seli në Indiana shprehu ngushëllimet për të prekurit nga incidenti.

“Prioriteti ynë është që të garantojmë sigurinë e klientëve tanë dhe të komunitetit duke përmbushur kontrollet e sigurisë në sistemin tonë dhe zonën përreth”

, tha kompania në një deklaratë.

Teknikët e gazit po shkojnë tani derë më derë me policinë dhe zjarrfikësit për të kontrolluar sigurinë në secilën pronë./tvklan.al