Ministria e Brendshme e Maqedonisë hodhi poshtë dyshimet e ngritura nga mediat bullgare se ish-Kryeministri Nikolla Gruevski ishte larguar nga Hungaria. Përmes një deklarate për shtyp, kjo ministri thotë se nuk ka të dhëna për largimin e Gruevskit.

“Nga të dhënat që disponojmë dhe bisedave me Ministrinë e Brendshme hungareze, Gruevski gjendet në Hungari, ku pret vendimin e autoriteteve rreth kërkesës së tij për azil”.

Përpara parlamentit hungarez, sekretari shtetëror në kabinetin e Kryeministrit Orban tha se Gruevski ka trajtim special për shkak se ka qenë dhjetë vite Kryeministër i Maqedonisë.

Sekretari i Orbanit konfirmoi se Gruevski ka aplikuar për azil në ambasadën e një vendi tjetër, pa saktësuar se ku. Ai ka refuzuar t`u përgjigjet pyetjeve se si ka arritur ish-Kryeministri Gruevski në Hungari, por pohoi se autoritetet hungareze nuk e kanë ndihmuar.

Prokuroria për Krimin e Organizuar në Maqedoni ka kërkuar nga autoritetet e Malit të Zi video-xhirimet e kamerave të sigurisë së vendkalimit kufitar, ku ish-Kryeministri Gruevski kishte kaluar kufirin rrugës për në Hungari. Prokuroria njoftoi se po hetohet edhe lëvizja e Gruevskit nëpër Maqedoni.

Ministria e Drejtësisë është duke punuar rreth kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm për ekstradimin e ish-Kryeministrit Gruevski.

Tv Klan