Ky është Hektor Xheçuka, i arrestua për vrasjen e Emiljano Boçit në janar të këtij viti në kryeqytet. Paraditen e së enjtes Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për 30-vjeçarin i arrestuar tre ditë më parë në Kakavijë duke hyrë nga Greqia.

Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura me kërkesë të prokurorit Artan Lulaj për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor. Prokuroria ka ngritur akuzën e vrasjes me paramendim dhe armë mbajtje pa leje.

Përballë togave të zeza Hektor Xheçuka nuk i ka pranuar akuzat e Prokurorisë. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe më herët përballë hetuesve. 30-vjeçari mbahej nën hetim prej më shumë se 7 muajsh. Ngjarja për të cilën ai akuzohet ndodhi mbrëmjen e 14 Janarit në zonën e parkut të autobusëve në kryeqytet.

Xheçuka dyshohet se qëlloi me armë Emiljano Boçin në automjetin e tij të parkuar pranë një lokali në zonën e ish-parkut të Autobusëve në Tiranë. Bashkë me viktimën në makinë ishte e dashura e tij, si dhe 27-vjeçari Melvin Disha, që mbeti i plagosur nga të shtënat. Hektor Xheçuka ka qenë i arrestuar edhe në vitin 2015 për një vrasje të mbetur në tentativë.

 

Tv Klan