Gjykata e Elbasanit ka dhënë këtë të hënë masën e sigurisë arrest me burg për Josif Kavajën, 45-vjeçarin i cili hapi zjarr në drejtim të forcave RENEA.  

Më 24 Dhjetor, urdhrit të policisë për t’i kontrolluar banesën në fshatin Seltë të Elbasanit, Kavaja iu kundërpërgjigj me breshëri automatiku.

Rezistenca e tij zgjati më shumë se 16 orë.

Edhe pse forcat speciale RENEA negociuan pothuajse gjatë gjithë natës, që 45-vjeçari t’i dorëzohej policisë, ai qëlloi disa herë në drejtim të tyre, por në orët e para të mëngjesit e arrestuan pasi e plagosën në këmbë dhe në bark.

Kavaja akuzohet për tentativë vrasjeje në drejtim të efektivëve të Policisë së Shtetit dhe forcave RENEA, mbajtje të armëve e municioneve etj. Mësohet se gjyqtari i çështjes kërkoi ekzaminim psikik të 45-vjeçarit./tvklan.al