I distancuar nga drejtorët e tij që së fundmi u arrestuan nga SPAK-u për korruspion dhe pastrim parash përmes kompanisë “5D”, kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj ftoi drejtësinë e re të bëjë punën e saj.

“Po e nis nga vija e kuqe e Partisë Socialiste dhe e kryeministrit Rama: Çështjet që hap drejtësia e re, me këdoqoftë dhe kudoqoftë, në cilindo nivel të përgjegjësive ekzekutive dhe administrative, nuk janë për t’u komentuar në aspektin e tyre ligjor, por janë thjesht për t’ua besuar organeve të drejtësisë. Cilido individ që është përfshirë në këto çështje, duhet të përballet vetë me drejtësinë, i zhveshur nga çdo lloj mbrojtjeje tjetër, përveç mbrojtjes ligjore nga avokatët e vetë”.

Vlerësoi bashkëpunimin me vartësit e tij që janë prapa hekurave, por tha se as ai e as Kryeministri Rama nuk kishin dijeni që drejtuesit e bashkisë të arrestuar nga SPAK-u kishin abuzuar me detyrën.

“Më falni! Po pse, në cilën pjesë të funksionit të tij të përcaktuar me Kushtetutë dhe dispozita ligjore, kryeministri duhet të përgjojë zëvendësin e tij apo cilindo zyrtar tjetër, me të cilin e lidh puna, kur këta të fundit e ushtrojnë influencën e postit dhe i përdorin lidhjet e tyre me X-in ose Y-in, për të përfituar në mënyrë të paligjshme?! Si mund të jetë kaq e padiskutueshme, që një kryeministër, apo në rastin tim, një kryetar bashkie, të jetë në dijeni të çdo gjëje që s’ka të bëjë fare me funksionin e tij të përcaktuar me ligj apo me objektivat e me një mijë e një problemet e përditshme të punës së tij”.

Qytetarët i garantoi se nuk e ka përdorur firmën e tij për përfitime të paligjshme.

“Në pritje të fjalës së fundit të drejtësisë për ta, unë vetë nuk kam çfarë pres për t’ju parë të gjithëve në sy dhe për t’ju thënë se asnjë përfitim i paligjshëm personal, nuk më ka lidhur kurrë as me ta dhe as me askënd tjetër në detyrën time si shërbëtori numër një i Tiranës sonë. Gabime mund të kem bërë edhe unë plot! S’kam asnjë dyshim! Po s’e kam bërë kurrë fajin që ta përdor firmën time, fjalën time, ndikimin tim, për çfarëdo lloj përfitimi personal të paligjshëm”.

Akuzat e ngritura ndaj tij i cilëson gjueti shtrigash.

“Këta gjahtarët profesionistë të shtrigave, që kanë një mandat deputeti të partive me vulë të humbur apo një kravatë moderatori dhe analisti në kolltuqet e spektakleve politike televizive të çdo mbrëmjeje, po që s’kanë asnjë respekt për dinjitetin njerëzor, për punën, për faktet, duan që populli ta harrojë këtë të vërtetë të madhe”.

E deri sa drejtësia të thotë fjalën e fundit për fajësinë ose jo të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, Veliaj thotë se do qëndrojë fort në misionin për të cilin u votëbesua për herë të tretë si kryetar i Bashkisë nga banorët e Tiranës.

“Drejtësia të vazhdojë punën e saj, s’ka nevojë t’ia them unë se çfarë duhet të bëjë, ndërsa unë do të vazhdoj punën time me skuadrën e transformimit të Tiranës, edhe me më shumë këmbëngulje për Tiranën e për bashkëqytetarët e mi, pas kësaj ngjarjeje që nuk më bën aspak krenar”.

4 drejtues të lartë të Bashkisë së Tiranës kanë përfunduar në qeli pas urdhër-arresteve të lëshuara nga SPAK-u, ndërsa 6 zyrtarë të tjerë janë lënë në detyrim paraqitje.

Tv Klan