4 muaj hetime intensive nga Policia e Tiranës goditën një grup të gjerë të shpërndarjes së kokainës, heroinës dhe kanabisit në afërsi të shkollave dhe klubet e natës së kryeqytetit. 20 persona u vunë në pranga, 10 të tjerë u shpallën në kërkim ndërsa 5 të tjerëve iu komunikua akuza në qeli pasi ishin arrestuar më herët.

“Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, shpërndanin lëndë narkotike, afër shkollave, dhe në ambiente të tjera të frekuentuara nga të rinjtë, në zona të ndryshe të Tiranës”, tha në një deklaratë për mediat, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj.

Të arrestuarit janë pjesë e të njëjtit grup me 3 të rinjtë që u vunë në pranga më 22 Mars të këtij viti në kryeqytet, ku sekuestruan 1 kg kokainë dhe u zbulua se i implikuar ishte dhe agjenti i Operacionales, Ervis Shkurta.

“Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 50 doza me lëndë dyshuar narkotike heroinë, 100 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis”, u shpreh Vocaj.

Në konferencën për mediat, numri një i Policisë së Tiranës u pyet dhe për operacionin e zhvilluar nga SPAK, njohur si dosja “Metamorfoza”. Akuzave të opozitës që lidhin emrin e tij me këtë çështje, Tonin Vocaj u dha këtë përgjigje: “Kam qenë drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale dhe ju garantoj që në mbi 40 vite që kam në polici nuk jam përfshirë në asnjë veprimtari kriminale dhe nuk jam pjesë, apo lidhje me asnjë individ me rekorde kriminale në Shqipëri”.

Kreu i Policisë së Tiranës u pyet edhe për çështjen e përfshirjes në një plagosje me thikë të bashkëshortit të Ministres Delina Ibrahimaj. Ai mohoi të kishte mungesë transparence nga policia.

“Kjo ngjarje nuk futet te ngjarjet sensitive për të cilat policia jep njoftime për shtyp. Të gjitha materialet janë referuar në prokurori, dhe është prokuroria që po heton këtë çështje”.

Vocaj tha se policia është e vendosur të godasë të gjitha paligjshmëritë.

  • Emrat e të arrestuarve:
  • Rei Ramushi
  • Emiljano Birja
  • Abdullah Zyberi
  • Albjo Shkira
  • Kevin Nazari
  • Amarildo Jashari
  • Florjan Çepa
  • Ibez Zebi
  • Florjan Miha
  • Erol Bardhoshi
  • Andrin Bajraktari
  • Emiljano Maksutaj
  • Hamza Firi
  • Albi Bulku
  • Maringlen Kolaj
  • Armando Disha
  • Klodjan Lena
  • Altmir Mustafaraj
  • Gentjan Agaj
  • Flori Lime