Arrestohen dy të dyshuar për vrasjen e Emiljano Ramazanit


Arrestohen dy të dyshuar për vrasjen e Emiljano Ramazanit

19:50 27/07/2020

Pronari i një pike servisi dyshohet se ndihmoi autorët për atentatin

Vrasja e Emiljano Ramazanit dhe atentati me snajper që iu bë Ardian Çapjat në Elbasan, ka bërë që policia të shtojë kontrollet në kërkim të personave që janë të përfshirë në këto ngjarje.

Operacionet e kryera nga FNSH dhe RENEA, kanë bërë që të ndalohen 2 persona që mund të ketë lidhje me ekzekutimin e Emiljano Ramazanit.

Televizioni Klan mëson se nga kontrollet në periferitë e Elbasanit, është ndaluar një 35-vjeçar me mbiemër Manehasa, pronar i një pike servisi në këtë qytet, pasi dyshohet se ka ndihmuar në vrasjen e 39-vjeçarit, Emiljano Ramazani.

Gjatë arrestimit policia i gjeti të riut edhe një pistoletë, ndërkohë që ai tentoi t’i shpëtonte kontrollit, por RENEA nuk e ka lejuar të largohet. Grupi hetimor sqaron se pronari i servisit dyshohet se ka siguruar mjetin dhe e ka modifikuar atë para vrasjes.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se kanë ushtruar disa kontrolle në Peqin, ku dyshohet se u porosit vrasja e Emiljano Ramazanit, ku aty kanë ndaluar një person të dytë.

Hetimet tregojnë se konflikti nuk ka ardhur për drogën, por si përplasje e dy grupeve. Emiljano Ramazani u ekzekutua më 20 korrik nga persona të maskuar, të cilët më pas dogjën makinën.

Kthimi i disa personave nga jashtë shtetit, pjesë e grupeve kriminale, ka bërë që të shtohet vigjilenca në Elbasan, nga frika e ndonjë hakmarrje.

Përgjatë ditëve në vijim bëhet e ditur se policia do të shtojë kontrollet në këtë zonë, por edhe në disa qytete të tjera,  me risk për ngjarje kriminale, siç është Durrës, Vlora, Lezha dhe Tirana.

Tv Klan




Të ngjashme