Policia holandeze vuri në pranga një 37-vjeçar turk si autor të vrasjes së 3 personave dhe plagosjes së 5 të tjerëve në një tram në Utreht. U dyshua fillimisht për një sulm terrorist, por të afërmit e autorit thanë bëhej fjalë për një zënkë familjare.

Është ky momenti i arrestimit të personit që qëlloi për vdekje 3 persona dhe plagosi 5 të tjerë në një tram në Utreht të Holandës.

37-vjeçari me origjinë turke Gokmen Tanis, u arrestua në një bllok banesash jo shumë larg vendngjarjes rreth orës 4 të pasdites së të hënës, afro 5 orë pas sulmit. Tanis u arratis me një veturë Reno Clio të bardhë nga vendngjarja pasi qëlloi ndaj pasagjerëve të tramit.

Hetuesit holandezë po e trajtojnë çështjen si akt terrorist. Por familjarët e 37-vjeçarit hodhën poshtë këto dyshime. Për agjencinë turke të lajmeve Anadollu, ata thanë se Gokmen Tanis qëlloi për vdekje një të afërm në tram me të cilin kishte pasur një zënkë për arsye familjare. 2 persona të tjerë që humbën po ashtu jetën, ndërhynë për t’ia hequr atij armën nga duart.

37-vjeçari është i njohur për drejtësinë pasi ka precedentë penalë. Më 4 Mars ishte paraqitur në gjykatë pas denoncimit të një vajze, e cila e akuzonte se e kishte përdhunuar disa herë dhe e kishte kërcënuar se do t’i digjte shtëpinë. Ai është shoqëruar disa herë në polici edhe për vjedhje e dhunë ndaj efektivëve të policisë. Akti bëri bujë pasi ndodhi jo më larg se 3 ditë pas sulmit terrorist në Zelandën e Re, ku humbën jetën 50 persona.

Tv Klan