Dyshohet se premtoi të ndihmonte vëllezërit Aliko

28 persona janë vënë në pranga nga policia në një operacion të zhvilluar në disa qarqe të vendit, mes të cilëve edhe botuesi Henri Çili.  

Botuesi Henri Çili dyshohet se nën ndikimin e kunatit të tij, Gazmir Ajdini, ka marrë përsipër të ndihmojë me mbështetje në media vëllezërit Arbion dhe Alban Aliko, i pari i dënuar me burg përjetë dhe i dyti me 18 vjet burg, për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha në Lazarat, në vitin 2015, gjatë shqyrtimit të dosjes së tyre në Gjykatën e Lartë.

Prokuroria i kishte nisur hetimet për trafik droge në Shtator të 2019-s dhe në përgjime ka rënë edhe botuesi Çili. Ajo akuzon atë gjithashtu se, nëpërmjet një anëtari të sistemit të drejtësisë, ka tentuar të ndikojë edhe në Gjykatën e Lartë që dosja të shqyrtohet me përparësi.

Ardian Dvorani, i vetmi anëtar i Gjykatës se Lartë dhe relator i çështjes, tha se nuk ka pasur ndikime për këtë dosje dhe se nuk ishte takuar me botuesin Çili.

Pjesë e skemës ishte dhënia e një sipërfaqe toke, të parave cash dhe e disa apartamenteve nga biznesmeni dhe ish-kandidati i Partisë Socialiste për deputet, Sait Fishta, i arrestuar më parë për ndërtim të paligjshëm.

Në pranga ranë edhe drejtori Juridik i Universitetit Europian të Tiranës, Ilir Korbi dhe noterja Shpresa Gjoçaj që kishte bërë dokumentet për kalimin e apartamenteve në favor të botuesit, ndërsa në kërkim janë shpallur 6 persona dhe 12 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.

Në operacionin policor morën pjesë 15 reparte të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato operacionale ku kanë ushtruar kontrolle në 61 banesa dhe 31 automjete duke sekuestruar armë, lëndë narkotike dhe certifikata pronësie.

7 persona janë arrestuar më herët për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje dhe pas hetimeve u zbulua edhe pjesa tjetër e personave të arrestuar gjatë 24 orëve të fundit.

I pyetur për këtë operacion, kryeprokurori Olsjan Çela, tha nga qyteti i Vlorës, se ishte fryt i Reformës në Drejtësi.

“Kjo është puna e prokurorisë, frytet e prokurorisë së pavarur. Zbatimi i ligjit, reforma në drejtësi, këto janë rezultatet”.

Në të njëjtën mënyrë reagoi edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

“Policia dhe Prokuroria dhanë sot një tjetër provë të rëndësishme të seriozitetit në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar. Reforma në Drejtësi po sjell përditë rezultate. Droga dhe krimi nuk mund të kenë vend tek ne. Përgëzime për punën e Policisë dhe Prokurorisë”.

Tv Klan