Një shqiptar është arrestuar në Itali ditën e sotme, pasi në makinë iu gjet një sasi e konsiderueshme kokainë.

Sipas mediave italiane, shqiptari i arrestuar është 45 vjeç, ndërsa identiteti nuk është bërë publik. Ai udhëtonte me një makinë me targa gjermane dhe i tha policisë së kishte mbërritur në Itali si turist.

Gjatë pyetjeve të policëve, shqiptari shfaqi shenja nervozizmi. Për më tepër, marshat e makinës nuk po funksionin siç duhet për shkak të një defekti teknik, dhe që 45-vjeçari nuk mund ta shpjegonte.

Kjo sjellje e tij ngjalli dyshimin e hetuesve. Gjatë kontrollit të makinës, u gjet 8.5 kilogramë kokainë e fshehur në kutinë e levës së marsheve dhe tek timoni. Pas sekuestrimit të lëndës narkotike, shqiptari u arrestua në kushtet e flagrancës. /tvklan.al