Artur Zheji, Mero Baze dhe Andi Bejtja (Video Arkiv) – TV KLAN

Artur Zheji, Mero Baze dhe Andi Bejtja (Video Arkiv)

Në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu të datës 02 Maj 2002 ishin të ftuar tre analistë të shtypit dhe mediave vizive, Artur Zheji, Mero Baze dhe Andi Bejtja.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të rikthyer edhe një herë në Parlament rishqyrtimin e Prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe, Arben Rakipi kishte krijuar kaos brenda PS. Pas këtij vendimi si reagim direkt erdhi dorëheqja e Namik Dokles, ish-kryetarit të Parlamentit.

E pikërisht kjo ngjarje ishte temë diskutimi në “Opinion” nga tre analistët, të cilët e cilësuan dorëheqjen e tij si veprim të rrallë.

“Dorëheqja e Dokles ishte produkt i krizës dhe nuk ishte element që i shtonte krizës krizë. Për mendimin tim Dokle e menaxhoi jo mirë momentin e sajesës së dy mocioneve të çuditshme, të cilat kishin si target shkarkimin e zotit Rakipi dhe përgatitjen e terrenit për nënshkrimin marrëveshjes për shkarkimin nga Presidenti. Në këtë pikëpamje ai mbajti një risk duke e menaxhuar sipas bindjeve të tij. Por nga ana tjetër është për tu përshëndetur fakti që Dokle e respektoi institucionin e dorëheqjes dhe tha se nëse Gjykata Kushtetuese do ta hedhë poshtë vendimin do të jap dorëheqjen. Ai luajti me riskun dhe u ndërshkua. Është dorëheqje fisnike në llojin e vet”, tha Zheji.

“Unë mendoj se dorëheqja e Dokles është korrekte, por nuk mendoj se e ka dhënë si një kryetar parlamenti që dështoi në përpjekjet për të udhëhequr parlamentin shqiptar. Dokle ka të njëjtën formulë dorëheqje si Meta. Ai nuk dha dorëheqjen sepse dështoi, por deklaroi se e bëri për të mbrojtur pikëpamjet e tij dhe atë që ai bëri në Parlament”, tha Baze.

“Çdo dorëheqje në Shqipëri është për tu çmuar sepse është gjë e rrallë dhe çdo gjë e rrallë kushton më tepër se gjërat e zakonshme. Kemi pasur edhe raste kokëfortësie që i kanë kushtuar Shqipërisë, por nga ana tjetër mendoj se dorëheqja e tij ndodhi si pasojë e përplasjes së dy institucioneve, Parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese. Ishte e detyrueshme pavarësisht se nuk mund të fajësohet ai vetë edhe pse atij i bie barra. Ajo që më shqetëson mua është fakti që ne zgjedhjen e krizës e shikojmë tek fati i një njeriu apo dy njerëzve”, tha Bejtja.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012

Kategori
Lajme nga EmisionetOpinion - DosierTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*