Atentati ndaj Preng Gjinit, policia në kërkim të një të riu


Atentati ndaj Preng Gjinit, policia në kërkim të një të riu

15:40 24/09/2020

Kamerat kanë fiksuar një person që largohet pas shpërthimit

Këto kamera sigurie, kanë filmuar një person të dyshuar se ka bërë shpërthimin e tritolit në makinën e Preng Gjinit, pasditen e 15 Shtatorit. Policia ndodhet në kërkim të një të riu i veshur me xhinse, kapele në kokë dhe që në krah mbante një çantë.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se nga këqyrja e kamerave që ndodhen në zonë, vihet re se ky person largohet me vrap menjëherë pas shpërthimit të fuqishëm. Personi në fjalë, është fiksuar edhe nga kamera të tjera të zonës duke qëndruar në afërsi të vendit të ngjarjes pak para shpërthimit çka shton dyshimet se është ai autori i ngjarjes.

Dyshohet se shpërthimi është bërë me telekomandë dhe personi që ishte caktuar për të aktivizuar tritolin, duhet të ishte në një distancë jo më shumë se 100 deri në 200 metër larg. Pikërisht këto të dhëna kanë çuar Policinë dhe Prokurorinë tek i riu që mund të jetë i përfshirë në atentatin ndaj Preng Gjinit.

Ky person ka bërë që Prokuroria e Tiranës së bashku me drejtuesit më të lartë të Policisë, të zhvillojnë një takim që ka zgjatur më shumë se 3 orë për të analizuar situatën dhe të dhënat e reja që kanë dalë nga hetimi. Preng Gjinit i shpëtoi atentatit dhe tashmë ka udhëtuar drejt Turqisë për kurim më të specializuar. Shkak i atentatit dyshohet hakmarrje, ku vitet e fundit kanë ndodhur disa vrasje në qytetin e Rrëshenit.

Tv Klan



Të ngjashme