Synohet të sigurohet 82% energji e rinovueshme deri në 2030

Qeveria australiane ka në plan të nxisë përhapjen masive të paneleve diellorë, për prodhimin e energjisë në vend. Kryeministri, Entoni Albaneze shpalosi planin me vlerë 653 milionë Dollarë amerikanë ose 1 miliardë Dollarë australianë që qeveria do të investojë për të nxitur industrinë vendase të prodhojë masivisht panele diellorë.

Qeveria ka për qëllim ta bëjë energjinë e rinovueshme, burimin e parë për furnizimin e konsumatorit vendas. Objektivi është që deri në 2030-ën, 82% e nevojave të vendit për energji të sigurohen nga burime të rinovueshme, krahas paneleve diellorë edhe nga era.

Aktualisht, energjia e rinovueshme përmbush vetëm 40% të nevojave të konsumit, ndërsa pjesa tjetër sigurohet nga impjantet me qymyr, mes shkaktarëve kryesorë në botë për ngrohjen globale krahas naftës.

Nisur edhe nga ditët e shumta me diell dhe shtrirja e gjerë territoriale e vendit, Australia synon të shndërrohet në një superfuqi botërore për energjinë e rinovueshme. Shfrytëzimi i paneleve diellorë për prodhimin e energjisë po zgjerohet në shumë vende të botës, veçanërisht pas krizës së çmimeve të naftës që shkaktoi lufta ruse në Ukrainë.

Tv Klan