Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku e cilësoi Konferencën për Investimet dhe Zhvillimin Ekonomik të Europës e Shqipërisë, organizuar së bashku me Organizatën Botërore të Turizmit, si një mundësi domethënëse për promovimin e Shqipërisë në fushën e turizmit.

Sipas saj, Shqipëria renditet një ndër vendet e para për sa i takon numrit të turistëve që kërkon më shumë investime për të përmbyllur kurorën e aviacionit civil.

“Sot në Shqipëri nga një aeroport ndërkombëtar që kishim në 2018, ne ndërtuam në veri të vendit, aeroportin e Kukësit dhe për pak muaj do të kemi aeroportin më të madh në Ballkan, Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, i cili është projektuar për fluturime transoqeanike, por për të akomoduar dhe flukset ndërkombëtare”, u shpreh ministrja. Pas një studimi me Ministrinë e Turizmit, kemi marrë një vendim të ri për të nisur procesin për një aeroport në jug të vendit duke e mbyllur kurorën e avioacionit civil, në Kukës, në Tiranë, në Vlorë dhe më pas në Gjirokastër, një nga zonat më interesante për turizmin”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh se viti që lamë pas i solli ekonomisë shqiptare 4.2 mld Euro, para të cilat sipas saj po ushqejnë bizneset vendase.

“Shqipëria ka hyrë në erën e industrisë së turizmit por edhe për Europën që “Investimet në Turizëm dhe Zhvillimit Ekonomik në Europë” e qas sot përmes zhvillimit të qendrueshem dhe mbrojtjes së mjedisit si një kusht të pangegociueshëm për të të ardhmen. E meqë jemi në një konferencë investimesh, turizmi nuk është thjesht çështje e numrit të vizitorëve, por është mbi të gjitha një çështje të ardhurash dhe tashmë ky sektor është bërë një industri, e këtë mund ta themi. Kjo matet edhe me të ardhurat që erdhën në ekonominë shqiptare.”

Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovaconit, Blendi Gonxhe u shpreh se Shqipëria është në garë me kohën dhe veten për të rritur investimet në turizëm. Zurab Pololikashvli, Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës së Turizmit tha se në Tiranë është dakordësuar ndërtimi qendrës rajonale për turizmin.

“Do të jetë një projekt i suksesshëm. Në Tiranë do të kemi mudësi t’u ofrojmë studentëve të sektorit të hotelerisë të trajnohen.”

Bashkëpunimi i ngushtë i Ministrisë së Turizmit me partnerët pritet të krijojë për herë të parë një udhëzues për investimet në sektorin e turizmit në Shqipëri.

Tv Klan