“Po konsiderojmë zbulimin e hidrogjenit me ekspertë gjermanë”

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka bërë një përmbledhje të arritjeve në sektorin energjetik për vitin që lamë pas, në fokus të së cilave ka qenë mbrojta e konsumatorëve familjarë dhe tërheqja e investime të huaja. Sipas saj interesi i të huajve ka zgjeruar sasinë e prodhuar nga fotovoltaikët.

“Nga ana tjetër duhet thënë që mbi 600 mega është kapaciteti i ri gjenerues i miratuar për ndërtim me një kapacitet mbi 1500 mega për tu ndërtuar dhe që është gjatë një procesi vlerësimi pa përfshirë këtu edhe ankandin e ri të cilin e presim që të kemi rezultatet e fundit gjatë muajit korrik dhe flitet për një kapacitet 300 megavat/orë fotovoltaik. Nga çfarë më rezulton mua nga gjithë pyetjet që marr sa herë që jam nëpër takime besoj që do të ketë një numër shumë të madh kompanish që do të marrin pjesë në ankandin e ri pasi interesi duket shumë i lartë”.

Ministrja Balluku foli dhe për projektet e gazifikimit në Korçë dhe atë që e quajti Korridori i 8 i energjisë.

“Gazifikimi i Shqipërisë i cili është i bazuar mbi një strategji kombëtare që tashmë do të nisë të implementohet duke nisur kështu me pjesën e parë të ndërtimit të tubit gazsjellës të Korridorit të IAP dhe janë 40 kilometrat e para do të cilat do të lidhin exitpoint, daljen, e Fierit me portin e Vlorës. Kemi arritur që të diskutojmë me partnerët tanë të SOCAR sesi mund të nisë një studim dhe më pas të kemi mundësi që këtë studim ta kthejmë në realitet duke i ofruar të gjithë zonës së Korçës, jo vetëm qytetit, por edhe rrethinave aty ku është e vendosur industria që operon në Korçë, mundësinë e përdorimit të gazit të lëngshëm si burim alternativ për ngrohje apo edhe për përdorim industrial”.

Ndërkohë që në venin tonë pritet të vijnë ekspertë nga Gjermania për të studiuar kapacitetet e hidrogjenit të zbuluar në Bulqizë.

“Padyshim ka disa pozicione përsa i përket hidrogjenit. Ka një pozicion nga ekspertët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ata që njohin gjeologjinë, ata që punojnë prej kohësh në sistemin e sektorit të minierave duke thënë që patjetër zona e Bulqizës apo zonat përreth janë miniera të njohura si miniera gazi dhe aty prania e hidrogjenit ka qenë gjithmonë. Dua të falënderoj Qeverinë Gjermane për një mbështetje të jashtëzakonshme që po na jep dhe një grup ekspertësh i cili do të dërgohet këtu nga Ministria e Ekonomisë, do të qëndrojë në atë zonë minerare për të studiuar nga afër të gjitha kapacitetet e hidrogjenit në Shqipëri”.

Ministrja balluku u shpreh se prioritet mbeten shtimi i kapaciteteve të rinovueshme, ulja e humbjeve të transmetimit si dhe inovacioni në ruajtjen e energjisë së prodhuar.

Tv Klan