Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëron se do të padisë për shpifje ish-këshilltarin e tij Stiv Banon, pas publikimit të disa rrëfimeve që ai ka bërë për gazetarin Michael Wolff, në librin e titulluar “

Zjarr dhe tërbim: Brenda Shtëpisë së Bardhë të Donald Trump”.

Banon flet për takimin që djali i Trump, Donald Jr. zhvilloi me disa diplomatë rusë në Kullën Trump gjatë fushatës presidenciale. Takim në të cilin, sipas mediave amerikane, rusët i dhanë djalit të Trumpit, fakte kompromentuese për rivalen Hillari Klinton. Banon e quan takimin, si “akt tradhtie” dhe “jo-patriotik”.

Ish-këshilltari i Presidentit amerikan  rrëfen edhe vlerësimet fyese që Trump ka për bashkëpunëtorët e tij. Ai zbulon se  Trump nuk e besonte kurrë se do të arrinte të zgjidhej president, dhe se presidencën e donte vetëm për të shumëfishuar të ardhurat .

 Po ashtu ai rrëfen frikën e kreut të shtëpisë së Bardhë se do ta helmojnë. Ndërsa  e bija Ivanka e kishte ëndërr të garonte për presidente dhe të ishte ajo gruaja e parë në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Pas publikimit të këtyre rrëfimeve, Trump tha se Banon ka ikur nga mendja që kur u largua nga detyra e kryestrategut të Shtëpisë së Bardhë, pas akuzave për mbështetje për të djathtën ekstreme. Libri që del në treg më 9 Janar, bazohet në mbi 200 intervista duke përfshirë edhe biseda me Presidentin dhe pjesëtarë të stafit të tij.

Tv Klan