Pas fitores kundër Atletico Madrid tashmë diferenca e Barcelonës me vendin e dytë ka shkuar në 11 pikë dhe titulli kampion duket thjesht një formalitet. E gjithë skuadra ka zhvilluar një sezon shumë të mirë, por janë disa pikat e forta që e bëjnë këtë Barcelonë një kundërshtar të frikshëm.

Një meritë të padiskutueshme në ecurinë e katalanasve ka trajneri Ernesto Valverde. Tekniku ka arritur që të përdorë si duhet kontigjentin që ka në dispozicion, e jo më kot Barcelona e tij është pretendente  në të gjitha kompeticionet ku merr pjesë.

Një tjetër avantazh për katalanasit janë ndeshjet direkte. Përballë rivalëve të Real Madrid, katalanasit i fituan të dyja ndeshjet e këtij sezoni ndërsa kundër Atleticos barazuan 1 dhe fituan 1.

Edhe portieri Marc Andre Ter Stegen ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Gardiani  gjerman ka zhvilluar një sezon spektakolar dhe ka qenë një nga më të mirët në fushë për shumë ndeshje.

Pa diskutim që mes pikave të forta nuk mund të mungonte Lionel Messi. 33 gola të shënuar dhe 14 asiste në 31 ndeshje. Argjentinasi ka kaluar një formë fantastike gjatë këtij sezoni, ai ka qenë gjithmonë aty kur skuadra ka patur nevojë për ta nxjerrë nga situata.

Klan Plus