“Trajnim të dyfishtë profesional për 20 disiplina

Demokratët synojnë që nesër në qeverisje të ofrojnë një arsim, jo vetëm më cilësor, por edhe që i përshtatet kërkesave të tregut global të punës. Për këtë qëllim kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, me pjesëmarrjen edhe të komisioneres së BE-së për Inovacionin, Arsimin dhe Rininë, Mariya Gabriela, prezantoi platformën e arsimit online që përfshin zhvillimin e gjuhëve të huaja si dhe trajnimin e dyfishte profesional të shqiptarëve, në veçanti të të rinjve.

“Hapi ynë i parë do të jetë ofrimi i kurseve në internet të gjuhëve të huaja falas për të rinjtë shqiptarë dhe për individët shqiptarë deri në 35 vjeç. Do të ofrohen 5 gjuhë të huaja: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht dhe spanjisht. Gjithashtu kemi një plan konkret pune që ofron trajnim të dyfishtë profesional në mbi 20 disiplina të ndryshme”.

Duke evidentuar largimin e të rinjve shqiptarë drejt vendeve të zhvilluara si një nga plagët e shkaktuara nga keqqeverisja, Basha theksoi se nëpërmjet dixhitalizimit do të krijohen më shumë mundësi trajnimi dhe zhvillimi të aftësive në fushat ku sot ka më shumë vende të lira pune.

“Kjo është një përparësi kryesore sepse është një mundësi e jashtëzakonshme. Trajnimi i të rinjve tanë në fushën e inovacionit, të komunikimit dhe teknologjisë së informacionit, përgatitja e të rinjve tanë, për mundësitë e punësimit në një sektor që ka nevojë ndërkohë që flasim aktualisht, duke parë disa statistika evropiane, janë 500.000 vende të lira pune vetëm në këtë fushë”.

Aplikimi i kësaj platforme sipas kreut të PD-së do jetë një mundësi e mirë që të rinjtë të marrin njohuritë e duhura dhe për të pasur nesër dhe një jete më të mirë.

“Kjo do të jetë një shtytje e jashtëzakonshme për të rinjtë dhe për qëllimin tonë për të ndërtuar dhe mbështetur një klasë të mesme të trajnuar mirë dhe të paguar mirë, sepse përparësia e trajnimit në këtë fushë në veçanti është se ata do të marrin aftësi të larta që aktualisht i marrin vetëm përmes emigracionit”

Komisionerja Gabriel, ndërsa përshëndeti risitë që sjell platforma e PD-së për arsimin, theksoi nevojën që arsimit t’i jepet rëndësia e duhur.

“Tani, më shumë se kurrë arsimi duhet të vendoset lart në axhendën tonë politike. Kërkon vëmendje të veçantë, një qasje vizionare dhe bashkëpunim më të thellë në Nivelin Evropian kombëtar”

Nga ana e tij kryedemokrati Basha siguroi komisioneren se opozita nesër në qeverisje do të bëjë gjithçka për t’i siguruar të rinjve një të ardhme në vendin e tyre, ndërsa theksoi  angazhimin për të përmbushur 15 kushtet në mënyrë që Shqipëria të hap negociatat dhe përfitojë nga fondet e BE-së në fushën e arsimit.

Tv Klan