Basha akuzon qeverinë për keqmenaxhimin e pandemisë: Ky është terrorizëm shtetëror



Basha akuzon qeverinë për keqmenaxhimin e pandemisë: Ky është terrorizëm shtetëror

13:13 29/10/2020

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar qeverinë për mënyrën e menaxhimit të qeverisë, duke u shprehur se ka dështuar.

Në bashkëbisedimin me gazetarët, kreu i selisë blu u shpreh se përmasat e pandemisë në vendin tonë janë më të mëdha nga sa raporton qeveria dhe se numri i të infektuarve po mbahet i ulët qëllimisht.

“Ka mungesa të kapaciteteve testuese, të infektuarit duhet të presin deri në 6 ditë për të bërë testin. Kështu numri i të infektuarve mbahet artificialisht i ulët dhe përmasa e sëmundjes mbahet e fshehtë. Kur u thuhet e vërteta, fshihen pas sakrificës së mjekëve për të mos u përballur me të vërtetën. Vetëm dje, nga theasari i janë dhënë 565 mijë Euro mafias së plehrave. Kjo shumë parash është baraz me 14 mijë tamponë”.

Për keqmenaxhim të situatës së pandemisë dhe mosblerjen e tamponeve, Lulzim Basha ka akuzuar qeverinë për “terrorizëm shtetëror”.

“Me mosblerjen e tamponëve, me mos hapjen e spitaleve, janë drejtpërdrejt personalisht përgjegjës për vdekjen e qytetarëve. Braktisja e vendit në këtë situatë është terrorizëm shtetëror. Të shtysh pafundësisht blerjen e tamponëve, të bësh zero ritestime është terrorizëm shtetëror. Zero vaksinime kundër gripit për grupet e cënueshme. Kjo nuk është më vjedhje, nuk është korrupsion, ky është terrorizëm shtetëror. Jeta e humbur e pacientëve është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Edi Ramës”. /tvklan.al




Të ngjashme