“Unë do të kthej konkurrencën në treg”

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, e konsideron alarmante situatën e investimeve në Shqipëri. Sipas tij vetëm gjatë këtij viti shifra e investimeve është ulur me 100 milionë euro. Ky fakt është pasqyruar edhe në raportin e DASH-it, shton Basha sipas të cilit, korrupsioni i qeverisë shqiptare, shkatërrimi i tregut me PPP-të dhe ligjet abuzive janë arsye e rënies.

“Asgjë nuk e fsheh dot më rritjen e varfërisë dhe papunësisë, ekonominë e rrënuar dhe largimin masiv të shqiptarëve. Çdo raport ndërkombëtar flet qartas për mungesën e klimës pozitive për biznesin dhe investimet e huaja”, shkruan Basha.

Kryeopozitari premton se nëse vjen në krye të qeverisë do të kthejë mundësinë e tregut të lirë dhe konkurrencën.

“Lufta kundër korrupsionit, anulimi i PPP-ve korruptive, ulja e taksave dhe taksa e sheshtë 9% do ta bëjnë Shqipërinë vendin e investimeve të mëdha dhe serioze, që bashkë me zhvillimin ekonomik do të sjellë dhe rritjen e numrit të vendeve të reja të punës me paga dinjitoze”, shprehet Basha.

Kryetari i demokratëve thotë se të vetmit investitorë strategjikë janë TAP e Devolli dhe këto projekte kanë nisur që në kohën e qeverisjes së PD-së. Gjatë drejtimit “Rama”, për Bashën veçse janë larguar investitorët strategjikë dhe seriozë.

“Në vend të tyre lulëzuan kompanitë offshore, PPP-të dhe koncensionet, që veç korrupsionit në çdo hallkë, nuk ofruan asnjë shërbim cilësor apo përmirësim të jetës së qytetarëve”, thotë Basha./tvklan.al