Lulzim Basha e ka quajtur skandal shtetëror instalimin e ushtrisë në Rinas, duke akuzuar Kryeministrin Rama se po mundohet t’i ikë përgjegjësive me dështimin e sigurisë në vend.

“Nëse nuk ka siguri, përgjegjësinë dhe fajin e ka shteti dhe shteti ka rënë. Kjo shpjegon edhe nxitimin për ta mbuluar këtë aferë të tmerrsme me një tjetër skandal shtetëror, nxjerrjen antikushtetuese të ushtrisë nga kazermat në Aeroport, pa shpallur gjendjen e jashtzakonshme dhe pa autorizim nga Kuvendi siç e kërkon qartë dhe prerë Kushtetuta dhe ligji për forcat e armatosura”.

Lulzim Basha hodhi dyshime se pas grabitjes së miliona Eurove në aeroportin “Nënë Tereza” qëndrojnë struktura të policisë dhe shtetit. Kreu i demokratëve renditi disa fakte, që sipas tij implikojnë në atë që e cilësoi aferë shtetërore, jo vetëm ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj por edhe kompaninë ICTS pas së cilës tha se qëndron avokati i Partisë Socialiste, Eno Bushi.

“Pse nuk u zbatua urdhri nr. 130 i datës 05.08.2018 për ruajtjen dhe shoqërimin e parave nga policia? Pse Sandër Lleshaj u emërua në shkelje të ligjit kryetar i Bordit të Aviacionit Civil, dhe si është e mundur që dy herë gjatë kohës që ai drejton këtë Bord, Aeroporti i Rinasit u grabit nga banda të armatosura? Çfarë përgjegjësie ka kompania e sigurisë së aeroportit të Rinasit, aksionerë të së cilës janë të lidhur ngushtë me Edi Ramën, Belinda Ballukun, dhe pilotin e drogës Riformato? A janë segmente të shtetit dhe kupolës qeveritare të përfshira dhe përfituese në këtë vjedhje të madhe”?

Sipas kryedemokratit, grabitja e parave në aeroportin e Rinasit është prova e pakundërshtueshme se në Shqipëri ligjin e bën krimi, dhe jo shteti, ndaj dhe largimin e Kryeministrit e sheh si emergjencë kombëtare.

Tv Klan