Partia Demokratike do të kallëzojë penalisht kryetarin e IKMT Vlorë, Fatmir Meta, për kërcënimin që i bëri deputetit demokrat Agron Shehaj. Kështu u shpreh Lulzim Basha në një deklaratë për mediat pasditen e sotme nga selia blu.

Gjatë përplasjes së sotme të policisë dhe IKMT me banorët në Jalë, të cilëve u prishën ndërtesat, i pranishëm në mbështetje të qytetarëve ishte edhe deputeti Shehaj, i cili debatoi me kryeinspektorin e IKMT Vlorë.

Sipas Bashës, Fatmir Meta ka qenë shefi i komisariatit të Tropojës në vitin 1998 dhe është bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit.

“Fatmir Meta është ish-shefi i komisariatit të Tropojës në periudhën më të errët. Në makinën e tij udhëtoi më 12 Shtator 1998 banda që ekzekutoi heroin e demokracisë Azem Hajdarin. Po me atë makinë u kthyen drejt Tropojës. Këto janë bëmat e Fatmir Metës

“, tha Basha.

Kryetari i PD i dërgoi një mesazh kreut të IKMT Vlorë dhe Kryeministrit Edi Rama, të cilët i paralajmëroi se do të mbajnë përgjegjësi nëse preken deputetët e opozitës.

“Bashkëpunëtori në vrasjen e Azem Hajdarit i shërben bandës së Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës. Kur policia arrin të dhunojë një deputet, është e qartë se është kthyer në një bandë pa tru. Sot të sigurtë në Shqipëri janë vetëm kriminelët. Sot dua t’i drejtoj këtij banditi një mesazh: PD do depozitojë sot kallëzim penal për kryebanditin Fatmir Meta.

Drejtësia e ka shpëtuar njëherë për vrasjen e Azem Hajdarit. Rrota e drejtësisë do të të kapë për bishti. Ndërsa padronit të tij, Edi Ramës i jap këtë paralajmërim: Një fije floku po ju prek një deputeti apo përfaqësuesi të opozitës nga banditi Fatmir Meta apo banditët e tjerë, përgjegjësinë do ta mbash ti Edi Rama në kokën tënde

“, deklaroi kryedemokrati Lulzim Basha.

/tvklan.al