Basha-ekonomiaTreguesit ekonomikë për tre-mujorin e parë të vitit 2014 konfirmojnë shqetësimin e opozitës se ekonomia po shkon drejt përkeqësimit. Nga mbledhja e grupit parlamentar demokrat, kryetari Lulzim Basha renditi disa prej të dhënave që sipas tij pasqyrojnë gjendjen e rënduar të financave shqiptare në periudhën e parë të vitit.

Të dhënat e PD për situatën financiare:

1. Të ardhurat tatimore për periudhën janar-mars 2014 rezultojnë 903 milionë më pak sesa plani.

2. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat për periudhën janar-mars 2014 rezultojnë 502 milionë lekë më pak sesa plani.

3. Tatim-Fitimi për periudhën janar-mars 2014 rezulton 668 milionë lekë më pak sesa parashikimi.

4. Akcizat për këtë tremujor të parë të vitit 2014 rezultojnë 2 miliardë lekë më pak sesa plani i vendosur nga vetë qeveria dhe 912 milionë lekë më pak sesa fakti i periudhës janar-mars 2013.

5. Tatimi mbi të ardhurat personale për periudhën janar-mars 2014 rezulton të ketë një mosrealizim prej 356 milionë lekë (ose 5.2% më pak sesa plani) dhe njëkohësisht rezulton të jetë 890 milionë lekë më pak sesa fakti i periudhës janar-mars 2013 (ose 12.1% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar). Vetëm në muajin mars ulja e këtij zëri është 22.1% krahasuar me mars 2013.

6. Nëse shohim të dhënat, rezulton se taksa për biznesin e vogël për periudhën janar-mars 2014 është 350 milionë lekë, ose 157 milionë lekë më pak (ose 31% më pak) nga çfarë u mblodh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Basha shtoi se të ardhurat për kompensimin e ish pronarëve janë 10 herë më pak se parashikimi i qeverisë, asnjë qindarkë për shtresën e ish-të përndjekurve politikë si dhe për detyrimet e prapambetura. Investimet publike rezultojnë më pak se një vit më parë për 3-mujorin e parë të vitit. Basha paralajmëroi protesta popullore si dhe një strategji për daljen nga kriza ekonomike.

Ndërkaq kryetari i partisë demokratike, shprehet i vendosur për ti shkuar deri në fund asaj që e ka cilësuar si çështja e drogës.

TV KLAN