“Ulim taksat, liberalizojmë tregun”

Sektori i energjisë, në veçanti ai i energjisë së rinovueshme, do të shihet nga demokratët me prioritet, si një ndër levat për rritjen e prodhimit vendas, hapjen e 100 mijë vendeve të reja të punës apo shtimin e investimeve të huaja. Në një takim me përfaqësues të shoqatës shqiptare të energjisë së rinovueshme, Lulzim Basha tha se programi i Partisë Demokratike dikton një sërë lehtësirash fiskale për këtë sektor, i cili nën qeverisjen e tij do të konsiderohet si partner në rrugen e zhvillimit.

“Është një ndër prioritetet kombëtare krahas turizmit. Ne do ta reformojmë këtë sektor duke bërë liberalizimin e vërtetë të tregut, jo atë në letër që na tundte virtualit edhe para dy ditësh kjo qeveri që dështoi me bursën e energjisë, duke filluar me miradministrimin e kompanive publike, të cilat janë të fundosura nga korrupsioni, paaftësia dhe nepotizmi; duke krijuar një mjedis të qëndrueshëm, të parashikueshëm dhe miqësor. Shërbimi i vetëm që do të kërkojme ndaj jush është që të bëheni pjesë mbi bazat e konkurrencës së drejtë të një tregu të liberalizuar, që të ulet çmimi i energjisë që është skandaloz për industrinë shqiptare dhe na e ka nxjerrë 95 % të industrisë shqiptare jashtë konkurrencës me Ballkanin, mos bëhet fjalë për gjëra të tjera”.

Prodhuesit e energjisë thanë se nëse do të ishin mbështetur nga qeveria, do të kishin rritur kapacitetin prodhues dhe do t’i kishin kursyer buxhetit qindra miliona Euro të shpenzuara për energjinë e importuar. 

“Do të thoja që në qoftë se ne si net-importet vetëm tre vitet e fundit në qoftë se do të kishim rritur kapacitetin vetëm neve me këto Mega që kemi prodhuar i kemi kursyer shtetit shqiptar në këto 3 vitet e fundit 231 milionë Euro”.

Kryedemokrati garantoi se pas 25 Prillit qeveria e tij do të aplikojë një paketë fiskale lehtësuese për biznesin që operon në sektorin e energjisë.

“Që nga ulja normës së tatim fitimit nga 15% në 9%, sigurimeve shoqërore në 18%, të çmimit të karburantit duke eliminuar taksën Rama prej 240 Lekë të vjetra apo 24 Lekë të reja për litër, sikundër edhe reforma rregullatorë, do t’i japim fund paradoksit që 1000 zyrtarë të shtetit sot mbajnë vula në xhepa dhe ju kërkojnë leje, autorizime, licenca për çdo gjë”.

Basha tha se mbështetja e qeverisë ndaj këtij sektori, do të rikthejë interesin e investitorëve të huaj, të cilët janë larguar apo i kanë frenuar investimet si pasojë e taksave të larta, goditjet e vazhdueshme nga qeveria apo cënimi i sigurisë juridike të kontratave koncesionare.

Tv Klan