“Janë të gjitha shanset për një fitore të thellë”

Për kryedemokratin Lulzim Basha, opozita e drejtuar nga Partia Demokratike i ka të gjitha mundësitë për të siguruar një fitore të thellë në zgjedhjet e 25 Prillit.

Gjatë një takimi që zhvilloi me drejtuesit politikë në qarqe dhe ku u diskutua për fushatën elektorale, burime për Tv Klan bëjnë të ditur se Basha ka theksuar se rezultati i këtyre zgjedhjeve varet krejtësisht nga puna që demokratët do të bëjnë gjatë kësaj kohe, pasi ekzistojnë të gjitha kushtet për të bërë realitet largimin e Edi Ramës dhe për të sjellë një shpresë të re për Shqipërinë.

“Këtu ku jemi sot, të gjitha shanset janë për një fitore të thellë të Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar. Këto zgjedhje, siç tregojnë të gjithë indikatorët, objektivat janë në dorën tonë. Rezultati i këtyre zgjedhjeve varet krejtësisht nga ne dhe nga puna jonë. Që do të thotë, që me një përkushtim maksimal dhe me një angazhimi total të burimeve njerëzore, të strukturave, të influencuesve tanë, simpatizantëve, të gjithë grupeve, pa pikë diskutimi 25 Prilli është dita e fitores tonë”, është shprehur Lulzim Basha.

Ndaj Basha ka kërkuar nga drejtuesit e qarqeve që t’i përgjigjen pritshmërive të shqiptarëve duke kthyer pakënaqësinë e tyre në votë për largimin Edi Ramës.

“Duke i kontaktuar vetë njerëzit që keni takuar, ju e dini që pritshmëritë janë shumë të jashtëzakonshme në të dyja anët e medaljes. Ana e parë është ajo e mllefit, e një padurimi për largimin e Edi Ramës. E një mungese durimi për të imagjinuar edhe 4 ditë më shumë e jo më dhe 4 vite më shumë me të. Dhe nga ana tjetër, në veçanti dy javët e fundit shohim Partinë Demokratike e cila po shtrihet në terren për të shpalosur programin e qeverisë dhe po i vlerëson konkretisht disa prej problemeve kryesore”.

Basha publikoi një foto nga ky takim, ku veç drejtuesve të qarqeve bie në sy edhe pjesëmarrja e sekretarëve dhe kreut të forumit rinor demokrat.

“Bashkë do të sjellim shpresë të re për Shqipërinë. Më 25 Prill Shqipëria fiton”, shkroi Basha në mesazhin e tij që shoqëron këtë foto.

Ky është takimi i parë që Basha zhvillon me drejtuesit politikë pas përfundimit të procesit të caktimit të tyre.

Tv Klan